Qoftë në një rrugicë të mbushur me njerëz në Istanbul, apo pranë një resorti bregdetar në Antalya, me shumë gjasë do të hasni një dyqan “Tekel”. Këto dyqane buzë rrugës, shumica me fasada të lyera në ngjyrë blu, janë mbetje të Monopolit Shtetëror të Duhanit (Tekel). Pikërisht aty shkohet për të blerë cigare.
Tekel u krijua në mesin e viteve 1920, kur shteti i ri turk mori nën kontroll industrinë fitimprurëse të duhanit nga kompanitë e huaja, të cilat kishin zotëruar tregun gjatë viteve të fundit të Perandorisë Osmane.
Türkiye ishte tashmë një vend prodhues i duhanit. Madje, edhe imazhi i devesë, që u bë sinonim i markës së cigareve Camel, ka rrënjë turke. RJR-ja, gjiganti amerikan që prodhonte cigaret Camel, përdorte një përzierje duhani turk në cigaret e tij. Kështu, dikujt në departamentin e marketingut të kompanisë i lindi ideja që deveja të vendosej si logo, edhe pse Türkiye nuk njihet për këto kafshë me gunga në shpinë.
Ky ishte një moment kyç për industrinë turke të cigareve.
Por pikërisht në atë periudhë, në Tazlar, një fshat i vogël në rrethin Sinanpaşa të provincës perëndimore Afyonkarahisar, po ndodhte një tjetër lloj revolucioni.
Të udhëhequr nga një i moshuar i fshatit, Ahmet Aga, banorët u betuan se nuk do të pinin duhan dhe u bënë shembull për brezat e ardhshëm.
Ky vendim e shndërroi përgjithmonë fshatin Tazlar në një zonë pa duhan, gati një shekull përpara se të ekzistonte legjislacioni modern për shëndetin publik.
Kanë kaluar pothuajse njëqind vjet dhe fshati, me një popullsi prej rreth 2 mijë banorësh, vazhdon të ketë reputacionin e një vendi ku është pothuajse e pamundur të shohësh dikë duke pirë duhan.
Historia e Tazlarit është edhe më e rëndësishme sot, teksa qeveria turke po përpiqet fuqishëm të kufizojë pirjen e duhanit. Ankaraja po shqyrton një ligj që do të vendoste ndalim të përjetshëm të pirjes së duhanit për personat e lindur pas janarit 2015.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan njihet për kundërshtimin e tij të fortë ndaj duhanit. Raportohet se ai i ka kërkuar kryeministres italiane Giorgia Meloni të hiqte dorë nga duhani, gjë që ajo e bëri në fillim të këtij viti.
Studime të shumta tregojnë se turqit renditen ndër konsumatorët më të mëdhenj të cigareve. Por kjo nuk përbën problem në Tazlar.
Si nisi gjithçka
Historia e ka harruar kryesisht Ahmet Aganë dhe banorët e Tazlarit mund të kujtojnë vetëm ato që u kanë treguar prindërit e tyre. Por, sipas rrëfimit që ka mbërritur deri në ditët tona, Aga udhëhiqej nga dëshira për të mbrojtur shëndetin fizik, por edhe burimet e kufizuara financiare të banorëve të tij.
Në vitin 1928, kur banorët e fshatit u betuan kolektivisht kundër duhanit, Aga përfitoi nga fakti se vetëm një pjesë e vogël e banorëve pinin duhan dhe arriti t’i bindte ata të hiqnin dorë.
“Ne u rritëm pa njerëz që pinin duhan përreth nesh”, thotë 66-vjeçari Mehmet Aydoğmuş, i cili shërben si imam i fshatit dhe punon gjithashtu si kontabilist. “Në njëfarë kuptimi, mospirja e duhanit nuk ishte një vendim që morëm më vonë në jetë. Ajo u bë drejtpërdrejt pjesë e jetës dhe kulturës sonë”.
Ky dallim është thelbësor për të kuptuar përvojën e Tazlarit.
Në vend që të mbështetej vetëm te vendimet individuale, fshati duket se ka zhvilluar një kulturë kolektive në të cilën pirja e duhanit nuk u bë kurrë një sjellje normale.
Aydoğmuş thotë se ky parim nuk iu paraqit fëmijëve si një rregull i imponuar nga lart. Përkundrazi, ishte diçka që ata e përvetësuan duke parë prindërit, gjyshërit dhe fqinjët e tyre.
“Kur isha fëmijë, të shihje dikë duke pirë duhan në fshat nuk ishte diçka me të cilën ishim mësuar”, kujton Aydoğmuş.
Tazlari është një fshat me shtëpi prej tullash të kuqe, i rrethuar nga fusha me domate të verdha dhe panxhar sheqeri. Banorët ndjekin një rutinë të përcaktuar. Zgjohen herët dhe shkojnë të flenë pas perëndimit të diellit. Këtu, të gjithë njohin njëri-tjetrin.
Kundërshtimi i banorëve ndaj duhanit lidhet pjesërisht me shqetësimet për shëndetin, por Aydoğmuş thotë se kjo traditë nuk mund të shpjegohet vetëm me shëndetin.
“Pleqtë tanë vazhdimisht na flisnin për dëmet që duhani i shkakton shëndetit të njeriut”, thotë ai. “Por ata nuk ndaleshin vetëm te fakti se ai ishte i dëmshëm për shëndetin”.
Ata flisnin gjithashtu për pasojat e zakoneve të dëmshme te familjet, komunitetet dhe vullneti i individit.
“Ne e mësuam gradualisht këtë”, thotë ai. “Edhe kur ishim fëmijë dhe nuk e kuptonim plotësisht se çfarë do të thoshte, e dinim nga qëndrimi i të moshuarve tanë se kjo ishte një çështje e rëndësishme për ne.”
Qasja e fshatit ndërthurte përgjegjësinë familjare, vlerat fetare dhe solidaritetin komunitar, thotë Aydoğmuş.
Familjet kujdeseshin për fëmijët e tyre. Të moshuarit paralajmëronin brezat e rinj. Fqinjët njihnin njëri-tjetrin. Dhe sjellja nuk shihej vetëm si çështje individuale, por edhe si diçka që mund të ndikonte te familja dhe komuniteti më i gjerë.
Nëse një fëmijë fillon të zhvillojë një zakon që familja e konsideron të dëmshëm, të afërmit dhe fqinjët nuk qëndrojnë domosdoshmërisht pasivë.
“Nëse një i ri bën një gabim diku, njerëzit nuk thonë: ‘Nuk ka lidhje me mua’”, thotë Aydoğmuş. “Njerëzit në fshat njihen me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë se i kujt është fëmija dhe i kujt është nipi”.
Por si mund ta ruash një kulturë nëse nuk ka të rinj që të ndjekin gjurmët e tua?
Shpërndarja si tymi
Murat Karasöğüt, 29 vjeç, i cili është rritur në Tazlar, përjeton gjithmonë një lloj shoku kulturor kur udhëton në pjesë të tjera të vendit.
“Kur shohim dikë duke pirë duhan jashtë, ndonjëherë mendojmë: ‘Ne nuk kemi diçka të tillë në fshatin tonë’”.
Në Tazlar, thotë ai, mospirja e duhanit u bë norma e pritshme. Të rinjtë nuk kishin domosdoshmërisht nevojë t’u përsëritej vazhdimisht se duhej ta refuzonin duhanin, sepse cigaret tashmë ishin jashtë kulturës së përditshme të fshatit.
“Mospirja e duhanit është diçka e zakontë në fshatin tonë, ndaj të rinjtë e përvetësojnë më lehtë”, thotë ai.
Sipas tij, ky ndryshim mbetet i rëndësishëm edhe teksa të rinjtë përballen gjithnjë e më shpesh me cigaret jashtë fshatit.
Por gjithnjë e më shumë të rinj nga Tazlari po zhvendosen në qytete, duke ngritur shqetësime se kundërshtimi i palëkundur ndaj duhanit mund të zbehet me kalimin e kohës.
Më shumë se dy të tretat e të rinjve të fshatit tani jetojnë në qytete si Stambolli dhe Bursa, të tërhequr nga mundësitë më të mira për arsim dhe punësim.
Për Aydoğmuşin dhe Karasöğutin, e ardhmja e kësaj tradite në Tazlar varet përfundimisht nga fakti nëse brezat e rinj do të zgjedhin ta vazhdojnë atë.
Karasöğüt beson se të rinjtë kanë një përgjegjësi të veçantë.
“Ne nuk duam të mbetemi në të kaluarën”, thotë Aydoğmuş. “Por nuk duam as ta humbasim të kaluarën tonë.”























