Kryeministri i Sierra Leones, David Moinina Sengeh, ka deklaruar se investimet e Türkiyes në vendin e tij kanë dhënë rezultate konkrete, ndërsa vendi synon të zgjerojë bashkëpunimin në infrastrukturën digjitale dhe teknologji.
Duke folur për Anadolu në margjinat e Samitit të Investimeve dhe Integrimit të Afrikës Perëndimore (WAIIS 2026), në kryeqytetin Fritaun, Sengeh tha se investimet turke përfshijnë disa sektorë, përfshirë aviacionin, turizmin dhe industrinë minerare.
Sengeh, i cili koordinon ministritë në zbatimin e programeve prioritare të qeverisë, theksoi se administrata e presidentit Julius Maada Bio i kushton rëndësi marrëdhënieve me Türkiyen.
Ai e përmendi investimin prej 270 milionë dollarësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Fritaunit, Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave Julius Maada Bio dhe projektet për ndërtimin e hoteleve me pesë yje si shembuj të investimeve turke.
"Ajo që shohim në të gjithë këta sektorë është se këto nuk janë vetëm premtime. Investimet janë realizuar. Ne tashmë po i përdorim këto objekte", tha ai.
Sengeh, i cili më parë shërbeu si drejtori i parë i inovacionit në Sierra Leone, tha se gjatë vizitave në Türkiye kishte zhvilluar takime me kompani të teknologjisë.
Ai tha se në Forumin e Diplomacisë në Antalya ishte takuar me përfaqësues të kompanive turke të aviacionit dhe mjeteve ajrore pa pilot, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës.
Duke e theksuar rëndësinë në rritje të transformimit digjital për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë, Sengeh foli për konceptin e "ambasadave të të dhënave", një qasje e iniciuar nga Sierra Leone që u mundëson vendeve të ndajnë infrastrukturën digjitale.
"E ardhmja është digjitale. Shumë nga gjërat që bëjmë tashmë zhvillohen në mjedisin digjital. Ne duhet të jemi në gjendje të ndajmë ekspertizën, teknologjinë dhe infrastrukturën tonë. Do të vazhdojmë ta zgjerojmë bashkëpunimin me vende si Türkiye në fushën e ndarjes së infrastrukturës digjitale", tha ai.
- Propozohet sistem i përbashkët për regjistrimin e kompanive në Afrikën Perëndimore
Sengeh tha se investitorët e huaj në Sierra Leone mund t'i kryejnë procedurat për leje, licenca dhe taksa përmes një shërbimi me një ndalesë, të administruar nga Bordi Kombëtar i Investimeve.
Ai theksoi se edhe regjistrimi i kompanive është zhvendosur në internet, duke u mundësuar bizneseve të regjistrohen brenda rreth tetë orësh përmes sistemit të ri.
Sengeh tha se presidenti Bio, gjatë samitit, propozoi krijimin e një sistemi të përbashkët online për regjistrimin e kompanive në vendet e Afrikës Perëndimore, me synimin për ta shtrirë modelin e Sierra Leones në të gjithë rajonin.
Propozimi synon të lehtësojë investimet dhe tregtinë ndërkufitare, duke u mundësuar, për shembull, kompanive të regjistruara në Liberi të operojnë në Sierra Leone pa pasur nevojë të krijojnë një subjekt të ri juridik, me kusht që të paguajnë tarifat përkatëse.














