Ministri i Thesarit dhe Financave të Türkiyes, Mehmet Şimşek, paralajmëroi të hënën mbrëma se konflikti në vazhdim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit kërcënon ekonominë globale me inflacion të lartë dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit.
Duke folur në kanalin “Akit TV”, Şimşeku theksoi se lufta po zhvillohet në një nga korridoret energjetike dhe tregtare më kritike në botë.
Ai vuri në dukje se rajoni garanton rreth 20 për qind të furnizimit global me naftë, duke e bërë situatën aktuale të ndërprerjeve të furnizimit shumë shqetësuese.
“Nëse rritja e çmimeve të naftës bëhet e qëndrueshme, ajo mund të ketë ndikim negativ të madh në inflacionin global”, tha ai.
Şimşeku solli në kujtesë se çmimet e naftës “Brent” janë rritur me më shumë se 40 për qind krahasuar me nivelet para luftës, çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur me mbi 56 për qind, ndërsa kostot e karburantit për avionë janë rritur pothuajse 100 për qind.
Ai theksoi se ndërprerjet po ndodhin njëkohësisht në Detin e Kuq dhe në Ngushticën e Hormuzit, duke zgjatur kohën e transportit mes Azisë dhe Evropës.
“Një luftë e zgjatur sjell rreziqe për inflacion global, kushte më të shtrënguara financiare, madje edhe mundësi për stagflacion”, paralajmëroi ai.
Pas shpërthimit të konfliktit, Türkiye ka zhvilluar analiza skenarësh dhe ka ndërmarrë masa parandaluese; këto hapa kanë kufizuar ndikimin në tregjet turke, duke e mbajtur rënien e bursës në vetëm 5,5 për qind.
Në kontrast, tregjet e aksioneve në vende si Indonezia, Koreja e Jugut dhe Afrika e Jugut kanë pësuar rënie prej 10 për qind ose më shumë.
Duke theksuar se Türkiye mbetet një ishull stabiliteti, ai e paraqiti vendin si një alternativë të rëndësishme për kompanitë globale që kërkojnë të diversifikojnë zinxhirët e furnizimit.
Ai shtoi se industria e fortë e mbrojtjes në Türkiye rrit më tej kapacitetet parandaluese dhe përparimet teknologjike të vendit.



















