Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, deklaroi se vendi i tij nuk ka ndërmend të përfshihet në luftën që vazhdon në Gjirin Persik.
Duke folur para takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, Gerapetritisi tha se “Greqia në parim ka qenë në favor të zbatimit universal të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të të drejtave të civilëve dhe, sigurisht, kthimit te diplomacia në vend të luftës”.
“Është e vetëkuptueshme që në këto momente, të cilat janë jashtëzakonisht kritike dhe pasojat mund të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm gjeopolitikisht, por edhe ekonomikisht e ambientalisht për Mesdheun, Evropa duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të marrë një rol udhëheqës”, theksoi ai.
Gerapetritisi potencoi gjithashtu respektimin e së drejtës ndërkombëtare detare, duke siguruar lëvizjen e lirë të të gjitha anijeve.
















