| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidenti kroat: Armatosja e Serbisë është shqetësuese, në shënjestër Kroacia, Shqipëria dhe BeH-ja
Zoran Milanoviq pretendon se Izraeli po i shet Serbisë pajisje moderne ushtarake, të cilat i cilësoi si “sisteme të rrezikshme ofensive”.
Presidenti kroat: Armatosja e Serbisë është shqetësuese, në shënjestër Kroacia, Shqipëria dhe BeH-ja
Presidenti kroat: Armatosja e Serbisë është shqetësuese, në shënjestër Kroacia, Shqipëria dhe BeH-ja / Reuters
4 orë më parë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi të dielën se është i shqetësuar për armatosjen intensive të Serbisë, duke thënë se vendi po furnizohet edhe me armë ofensive dhe se, sipas tij, objektiva të mundshëm mund të jenë pjesë të Bosnjë e Hercegovinës, Kroacia dhe Shqipëria.

Milanoviq i bëri këto deklarata në Zagreb, pas hapjes së turneut të parë memorial të shahut “Sanjin Shpanoviq”, duke komentuar vendimin e Serbisë për të blerë armatim raketor.

“Duhet të pranoj se nuk e di çfarë duan të arrijnë me këtë lloj armatosjeje. Ata po shpenzojnë shumë”, tha Milanoviq, duke shtuar se Serbia, sipas tij, po furnizohet edhe me sisteme ofensive.

Ai theksoi se ky zhvillim e shqetëson, por kujtoi se Kroacia është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Milanoviqi kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet kroate janë informuar për këtë çështje, duke pretenduar se kryeministri Andrej Plenkoviq për disa informacione ka mësuar nga mediat.

“Del se ministri për muaj të tërë ia ka fshehur kryeministrit faktin se Serbia ka një lloj të caktuar armësh. Kjo është e rëndësishme, sepse edhe ne, me njohuritë dhe blerjet tona, do ta kishim përshtatur orientimin tonë dhe ndoshta do të kishim blerë, për shembull, mbrojtje kundërajrore”, tha Milanoviq.

Ai shtoi se autoritetet kroate, në vend të kësaj, fillimisht blenë tanke, gjë që ai e cilësoi si një prioritet të gabuar.

Milanoviqi deklaroi gjithashtu se Izraeli po i shet Serbisë pajisje moderne ushtarake, duke theksuar se bëhet fjalë për “sisteme të rrezikshme ofensive”.

“Izraeli po i shet Beogradit sisteme dhe në shënjestër janë Kroacia, Shqipëria dhe pjesë të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Milanoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të shtunën se raketat e reja të Ushtrisë së Serbisë do të prezantohen këtë vit “rreth Vidovdanit”, duke theksuar se shteti do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e tij mbrojtëse.

Vuçiq deklaroi më herët se Serbia disponon raketa ajër–tokë me rreze të gjatë dhe fuqi të madhe shkatërruese, përfshirë raketat CM-400, të cilat sipas tij mund të godasin objektiva në një distancë prej 200 deri në 400 kilometrash.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë