| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rama: Bllokimi i përkohshëm i TikTok-ut solli masa të reja sigurie për përdoruesit
Kryeministri i Shqipërisë tha se pas dialogut me kompaninë u vendosën filtra të rinj, përfshirë verifikimin e moshës dhe monitorimin e përmbajtjes në shqip.
Rama: Bllokimi i përkohshëm i TikTok-ut solli masa të reja sigurie për përdoruesit
Rama: Bllokimi i përkohshëm i TikTok-ut solli masa të reja sigurie për përdoruesit / Reuters
13 orë më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se bllokimi i përkohshëm i platformës TikTok në vend ka sjellë rezultate konkrete në drejtim të rritjes së sigurisë për përdoruesit, veçanërisht për fëmijët.

Deklarata u bë gjatë një paraqitjeje publike, ku Rama komentoi edhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Ai theksoi se në momentin kur u mor vendimi i Gjykatës, sipas tij, situata ishte zgjidhur tashmë përmes dialogut me kompaninë.

“Si rezultat i bllokimit të TikTok-ut disa kohë më parë për arsyet që janë bërë publike dhe sipas kërkesës së 95 për qind të prindërve dhe të mësuesve, ne hymë në një dialog konstruktiv me kompaninë dhe kompania mori përsipër dhe filloi implementimin e një sërë masash të reja në ofrimin e këtij shërbimi për audiencën shqiptare”, tha Rama.

Megjithatë, ai shtoi se Gjykata Kushtetuese vazhdoi procesin dhe në përfundim arriti në konkluzionin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv.

Sipas Ramës, vendimet e gjykatave duhet të zbatohen, por ato mund të komentohen në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Ai theksoi se pas këtij procesi janë vendosur filtra algoritmikë dhe mekanizma për verifikimin e moshës, si dhe masa që lidhen me monitorimin e gjuhës së dhunës në platformë.

“Ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi, filtra algoritmikë apo të verifikimit të moshës. Kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës dhe me vetë gjuhën shqipe, që deri atëherë nuk ishte fare në radarin e TikTok-ut”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se dialogu me kompaninë tregoi se edhe një shtet i vogël mund të negociojë me kompani shumë të mëdha globale, të cilat sipas tij shpesh kanë kapital më të madh se shumë shtete të marra së bashku.

BURIMI:TRT Balkan, TRT Balkan dhe Agjencitë