| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha - Konjufcës: Kosova mbetet prioritet i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë
Ministri shqiptar bëri të ditur se në një telefonatë me homologun e tij të Kosovës, të dyja palët ranë dakord të angazhohen për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Hoxha - Konjufcës: Kosova mbetet prioritet i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë
Hoxha - Konjufcës: Kosova mbetet prioritet i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë / ATA
11 orë më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar në një bisedë telefonike me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufcën.

Ministri shqiptar, në një postim në rrjetin social X, njoftoi se gjatë bisedës u rikonfirmuan marrëdhëniet “vëllazërore dhe lidhjen e veçantë” mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Ai bëri të ditur se të dy palët ranë dakord të angazhohen për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Lidhur me zhvillimet e fundit në raportet Kosovë–Bashkimi Evropian, Hoxha tha se e cilëson heqjen e masave kufizuese si një hap të rëndësishëm që hap një moment të ri dhe premtues për integrimin evropian të Kosovës, përfshirë edhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

“U dakorduam mbi nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe për avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia”, theksoi Hoxha.

Ministri Hoxha u zotua për mbështetje të palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë zgjerimin e njohjeve, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe përparimin në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike.

“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit”, shkroi ministri.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë