| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Kryediplomati turk thirrje për bisedime më të shpeshta dhe më të ngushta me Francën
Ministri Hakan Fidan dhe homologu i tij francez, Jean-Noel Barrot, diskutuan lidhjet mes Francës, BE-së, si dhe çështjet rajonale dhe globale që prekin nga afër të dy vendet, Parisin dhe Ankaranë.
Kryediplomati turk thirrje për bisedime më të shpeshta dhe më të ngushta me Francën
Kryediplomati turk thirrje për bisedime më të shpeshta dhe më të ngushta me Francën / AA
11 orë më parë

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Francën "më shpesh dhe diskutimin e çështjeve të caktuara".

"Duke marrë parasysh rolet e rëndësishme që të dy vendet luajnë në NATO dhe në sigurinë evropiane, theksuam se ka shumë gjëra që mund të bëjmë edhe këtu, dhe për këtë arsye duhet të takohemi më shpesh dhe të diskutojmë çështje të caktuara", tha Fidan gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot.

Ai shprehu kënaqësinë për mikpritjen e Barrot në Türkiye, duke shtuar se zhvilluan "bisedime shumë frytdhënëse" dhe adresuan lidhjet mes dy vendeve.

Fidan tha se patën mundësinë të diskutojnë marrëdhëniet mes Francës dhe Bashkimit Evropian (BE), si dhe çështjet rajonale dhe globale që janë të rëndësishme për të dy vendet, dhe se presidentët e të dy vendeve u kanë dhënë udhëzime politike për të avancuar më tej marrëdhëniet Türkiye-Francë.

Ai tha se po punojnë me gjithë përkushtim për të avancuar më tej marrëdhëniet në fushat tregtare, ekonomike, politike dhe të tjera midis dy vendeve. Kryediploamti turk theksoi se ka diskutuar me homologun e tij mënyrat për të tejkaluar ngërçin aktual në marrëdhëniet Türkiye-BE dhe se çfarë mund të bëhet.

"Siç e dini, aktualisht kemi disa objektiva përpara nesh. Njëri prej tyre është përditësimi i Marrëveshjes së Unionit Doganor, dhe tjetri është zbatimi i marrëveshjes për liberalizimin e vizave. Me fjalë të tjera, diskutuam se si mund ta avancojmë këtë çështje, cilat hapa mund të ndërmarrim dhe çfarë çështjesh të tjera ekzistojnë mes nesh. Për më tepër, në kuadër të sigurisë evropiane, patëm një shkëmbim të vërtetë dhe të thellë pikëpamjesh mbi mënyrën se si mund të avancojmë sigurinë evropiane brenda NATO-s dhe çfarë mund të bëhet", shtoi ai.

Diskutime mbi çështjet rajonale dhe globale

Fidan theksoi se të dy vendet kanë një agjendë të gjerë për bashkëpunim rajonal dhe bisedime, që përfshin çështje që prekin sigurinë globale, si Siria, Gaza, zhvillimet në Iran, siguria në Mesdhe dhe lufta Rusi-Ukrainë.

Ai vuri në dukje se diskutuan se çfarë mund të bëhet për të siguruar luftën e vazhdueshme kundër organizatës terroriste ISIS (DEASh), duke theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme.

Ai shtoi se patën mundësinë të diskutojnë punën e vazhdueshme të Koalicionit të të Gatshmëve, kontributet e mundshme të Türkiyes në këtë drejtim dhe fazën më të fundit të negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.


Fidan tha se ka shumë çështje që nuk mund t'i përmendte në fjalimin e tij, gjë që tregon "gjerësinë e agjendës" në marrëdhëniet mes të dy vendeve.

Ai përfundoi duke falënderuar homologun francez për vizitën dhe për diskutimet e rëndësishme.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë