Miliona myslimanë anembanë botës do të fillojnë këtë javë do të fillojnë festimet e Festës së Kurbanit ose Kurban Bajramit, duke kujtuar rrëfimin kuranor të sprovës së Profetit Ibrahim, në të cilën ai u urdhërua nga Zoti të sakrifikonte gjënë e tij më të shtrenjtë, djalin e tij Ismailin.
Ibrahimi, emri i të cilit etimologjikisht do të thotë "babai i kombeve", do ta kishte flijuar djalin e tij duke ndjekur urdhrin e Zotit pa asnjë dyshim. Por, përballë vendosmërisë së pastër dhe fuqisë së besimit të Profetit, Zoti e zëvendësoi Ismailin me një dash dhe Ibrahimi flijoi atë në vend të djalit.
Që nga epoka e Profetit Muhamed, myslimanët e kanë shënuar këtë ngjarje duke bërë kurban (flijuar) kafshë.
Pas kurbanit, myslimanët e ndajnë mishin me njerëzit në nevojë, të cilët mund të mos hanë mish shpesh, si dhe me të afërmit e tyre, duke përmbushur kështu vizionin e Zotit për marrëdhënie vëllazërore.
Gjithashtu, ata vizitojnë njëri-tjetrin për të forcuar miqësitë dhe për të shëruar plagët e vjetra.
Si e shpjegon Islami sprovën e Ibrahimit
Kurani e rrëfen këtë ngjarje në suren e quajtur Saffat (Të rreshtuarit)?
Aty fillimisht flitet për gëzimin e Ibrahimit kur mori lajmin për një “djalë të urtë (të mbarë)”, por kur djaloshi arrin moshën e pjekurisë për punë, patriarku sheh një ëndërr (vizion) që e urdhëron atë të sakrifikojë djalin e tij me urdhër të Zotit.
“O djali im, unë kam parë në ëndërr se duhet të të bëj kurban; shiko pra se çfarë mendimi ke ti!” – e pyeti Ibrahimi djalin, djalit të cilit iu përgjigj: “O babai im, bëj atë që je urdhëruar.”
Gjatë përgatitjes për kurbanin, Ibrahimi sprovohet nga Shejtani (djalli), i cili përpiqet ta bindë atë të shpërfillë urdhrin e Zotit duke apeluar në egon e tij, të gruas së tij dhe të djalit të tij.
Me ndihmën e engjëllit Xhibril, Ibrahimi e largon me forcë Shejtanin duke e goditur atë me gurë.
Myslimanët e rikujtojnë këtë ngjarje në mënyrë simbolike gjatë Haxhit, duke e gjuajtur me gurë tri shtyllat që shënojnë vendin ku qëndronte Shejtani gjatë takimit me Ibrahimin.
Ky ritual, i njohur si "Gjuajtja e Djallit me Gurë", zhvillohet në zonën e Minës, afër Mekës.
Sipas traditës islame, Ibrahimi solli gruan e tij të dytë, Haxheren, dhe djalin e tij Ismailin në Mekë, afër vendit ku do të ndodhte sakrifica. Atje ai rindërtoi Qabenë, pikën qendrore të adhurimit për myslimanët, e cila përfaqëson njëshmërinë e Zotit.
Më pas, Ibrahimi dhe Ismaili shkuan në Malin Arafat, i cili gjithashtu ndodhet afër Mekës, për të zbatuar urdhrin hyjnor. Sipas Kuranit, në Malin Arafat, Ibrahimi “e përmbysi atë [Ismailin] në ballë [për ta bërë kurban].”
Por, Zoti ndërhyri papritur, duke shpallur: "Ti tashmë e përmbushe ëndrrën!"
Një kafshë, e cila sipas mendimit të shumë dijetarëve myslimanë ishte një dash, u shfaq për të zëvendësuar Ismailin dhe kurbani u përmbush duke e therrur atë, thotë Kurani.
Qëndrimi i palëkundur i Ibrahimit në zbatimin e dëshirës së Zotit i dha atij lëvdatat hyjnore. Kjo përvojë e tij me ngarkesë të fuqishme emocionale kujtohet sot në Festën e Kurbanit dhe festohet nga më shumë se 1,8 miliard myslimanë në mbarë botën.
“Dhe Ne i lamë atij [kujtim të mirë] ndër brezat e vonshëm: ‘Paqe dhe shpëtim qoftë mbi Ibrahimin!’” – thotë Kurani për këtë figurë që nderohet njëkohësisht nga myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët.





















