| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja Osmani reagon për qytetarin serb të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia
Osmani po ashtu kërkoi që bota demokratike të reagojë dhe skena politike e vendit të flasë me një zë për mbrojtjen e Kosovës.
Presidentja Osmani reagon për qytetarin serb të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia
Presidentja Osmani reagon për qytetarin serb të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia / AA
4 Nëntor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas plagosjes dhe rrëmbimit të qytetarit serb të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Sipas presidentes Osmani, kjo është edhe një dëshmi shtesë për “qasjen hegjemoniste” të Serbisë, ku “sulmohet dhe torturohet” çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth qeverisjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Osmani po ashtu kërkoi që bota demokratike të reagojë dhe skena politike e vendit të flasë me një zë për mbrojtjen e Kosovës.

“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, shkroi presidentja Osmani në rrjetet sociale.

Më herët, Policia e Kosvoës njoftoi se një shtetas i Kosovës nga komuniteti serb me inicialet M.V. dyshohet se është plagosur dhe më pas është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Policia tha se ka pranuar informacione më 1 nëntor lidhur me këtë ngjarje, që thuhet se ndodhi në zonën e Komunës së Leposaviqit.

“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës e cila quhet pika zero, në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, tha policia kosovare.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë