Është hedhur shorti për fazën e grupeve të Kampionatit Botëror FIFA 2026, ndërsa kombëtaret e vendeve të rajonit, të cilat ende garojnë në fazën e play-off-it për të siguruar një vend në kampionat, kanë mësuar kundërshtarët potencialë të grupeve në rast të kualifikimit.
Për herë të parë, 48 vende do të marrin pjesë në Kupën e Botës. Deri më tani, 42 vende kanë siguruar vendet e tyre. Nga gjashtë vendet e fundit kualifikuese, katër do të kualifikohen nga raundi play-off i kualifikimeve evropiane, ndërsa dy do të kualifikohen nga faza e eliminatoreve ndërkontinentale.
Në shortin e hedhur në kryeqytetin amerikan Washington, morën pjesë krerët e vendeve pritëse – SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës – presidenti Donald Trump, kryeministri Mark Carney dhe presidentja Claudia Sheinbaum, si dhe figura të larta nga bota e futbollit, duke përfshirë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në rast të kualifikimit, Kombëtarja e Shqipërisë mund të zë një vend në Grupin F, ku pas shortit janë vendosur Holanda, Japonia dhe Tunizia. Shqipëria në Rrugën B të play-off-it do të përballet me Poloninë si mysafir, ndërsa në finale mund të ketë përballë fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.
Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Sllovakinë si mysafir në Rrugën C, ndërsa në rast të fitores, në finale do të ketë përballë fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani. Në rast të kualifikimit në Botëror, Kosova do jetë në Grupin D, ku gjenden SHBA-ja, Paraguaji dhe Australia.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ajo ka gjasa të jetë në Botëror në Grupin A së bashku me Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut, nëse në gjysmëfinale të play-off-it në Rrugën D mposht Danimarkën si mysafir dhe më pas triumfuesin e përballjes Çeki Irlandë.
Ndeshjet gjysmëfinale të play-off-it për të siguruar biletë për Kampionatin Botëror do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Përveç play-off-it evropian, FIFA ka përcaktuar edhe dy rrugë të play-off-it ndërkontinental, të cilat do të ofrojnë dy vende shtesë në Botëror. Në Rrugën e Parë, Kaledonia e Re përballet me Xhamajkën dhe fituesi ndeshet më pas me Republikën Demokratike të Kongos.
Ndërkaq, në Rrugën e Dytë, Bolivia do të ketë përballë Surinamin, ndërsa fituesi përballet me Irakun.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Grupet e Kampionatit Botëror 2026 pas hedhjes së shortit janë si më poshtë:
Grupi A
Meksikë, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, fituesi i playoff-it evropian D
Grupi B
Kanada, Katar, Zvicër, fituesi i playoff-it evropian A
Grupi C
Brazil, Marok, Haiti, Skoci
Grupi D
SHBA, Paraguaj, Australi, fituesi i playoff-it evropian C
Grupi E
Gjermani, Bregu i Fildishtë (Ivory Coast), Ekuador, Curaçao
Grupi F
Holandë, Japonia, Tunizia, fituesi i playoff-it evropian B
Grupi G
Belgjikë, Egjipt, Irani, Zelanda e Re
Grupi H
Spanjë, Arabia Saudite, Uruguaj, Cape Verde
Grupi I
Francë, Senegal, Norvegji, fituesi i playoff-it ndërkontinental 2
Grupi J
Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani
Grupi K
Portugali, Uzbekistan, Kolumbi, fituesi i playoff-it ndërkontinental 1
Grupi L
Angli, Kroaci, Panama, Gana























