Në Shqipëri vazhdojnë protestat antiqeveritare, ndërkohë që sot është organizuar protestë kombëtare nga opozita, e cila është shoqëruar me tensione.
Protesta është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protesta u shoqërua me tensione, ku protestuesit hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe tymuese, por edhe sende të ndryshme në drejtim të selisë së Kryeministrisë. Gjatë tensioneve, në ambientet e jashtme të Kryeministrisë u shkaktua edhe zjarr, ndërkohë, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke hedhur ujë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë i konsideroi protestuesit si "misionarë të pamposhtur Shqipërisë së shpresës".
"Shqipëria është një vend i bekuar. Ne jemi të bekuar më së pari sepse kemi njëri-tjetrin. Ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz që janë të vendosur t’i dalin zot Shqipërisë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se vendi duhet të shkojë drejt "zgjedhjeve të lira dhe të ndershme".
Pas tensioneve para selisë së Kryeministrisë, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku vazhduan përsëri tensionet dhe përplasjet me policinë, pasi protestuesit hodhën përsëri molotovë dhe lëndë piroteknike.
Protestuesit u përplasen edhe me forcat e policisë para selisë së Kuvendit, ndërsa forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë.
Gjatë protestës raportohet se disa persona janë lënduar nga ndikimi i gazit dhe incidente të tjera.
Opozita kërkon edhe dorëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kujtojmë se Balluku është marrë e pandehur për veprën penale "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike" dhe sipas opozitës, ajo duhet "t'i dorëzohet drejtësisë", pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit ndaj saj.
Protesta zgjati disa orë, ndërkohë, u angazhuan qindra forca policore dhe u bllokuan disa akse rrugore në Tiranë.
Në muajt e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.



















