Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër seancën e parë konstituive, pas vendimit të marrë nga Presidentja e Kosovës, bëri të ditur Zyra e Presidentes përmes një njoftimi për media.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve të reja.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër”, thuhet në njoftim.
Thirrja e seancës konstitutive vijoi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi dje rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 57 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Lista Serbe 9 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me 6 deputetë.
Po ashtu, KDTP-ja do të ketë 2 deputetë, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Koalicioni Vakat, NDS-ja, IRDK-ja, SDU-ja, PLE-ja, PSA-ja, JGP-ja dhe LPRK-ja do të përfaqësohen secila me nga 1 deputet.



















