Gurkan Gungor, me aftësi të kufizuara fizike, i cili jeton në distriktin Fethiye të Muglas, Türkiye, prej rreth 20 vitesh krijon vepra qeramike të dekoruara me motive tradicionale turke, në shtëpinë e tij, ku një dhomë e ka shndërruar në atelie.
Gungor, 47-vjeç, i cili ka lindur me aftësi të kufizuara fizike, në vitin 2005 ndoqi një kurs për pikturimin e qeramikës, të organizuar nga Bashkia e Fethiyes.
Me mbështetjen e familjes dhe të instruktorit të kursit, ai i zhvilloi aftësitë e tij, ndërsa me kalimin e kohës pikturimi i qeramikës u shndërrua në një pasion.
Në atelienë që ka krijuar në një dhomë të shtëpisë, Gungor prodhon pjata qeramike, panele dekorative dhe objekte të ndryshme, duke i përshtatur veprat sipas kërkesave që merr.
Gungor, i cili ka 52 për qind aftësi të kufizuara fizike, çalon gjatë ecjes dhe nuk mund t'i përdorë plotësisht duart, tha për Anadolu se veprat e vogla arrin t'i përfundojë për rreth një orë, ndërsa punimet e mëdha dhe të detajuara i kërkojnë nga një javë deri në dhjetë ditë.
Duke theksuar se arti i dekorimit të qeramikës i ka sjellë përfitime si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë ekonomik, Gungor tha:
"Angazhimi me artin më ka bërë shumë mirë. Në dhomën e shtëpisë sime kaloj kohë shumë të këndshme dhe njëkohësisht krijoj vepra. Përgatis edhe porosi të veçanta sipas kërkesave që më vijnë nga njerëzit përreth. Kjo punë më ka sjellë edhe përfitime ekonomike".
Gungor tha se, përveç të ardhurave që siguron, ndien kënaqësi edhe kur ua dhuron qeramikat që krijon njerëzve të afërt.
Ai tregoi se në vitet e kaluara kishte hapur një ekspozitë me punimet e tij, të cilat ishin pritur mirë, ndërsa tani synon të organizojë ekspozitën e dytë.
Duke vënë në dukje rëndësinë e orientimit të personave me aftësi të kufizuara drejt fushave që përputhen me talentet e tyre, Gungor theksoi se familja dhe instruktori i tij i parë e kanë mbështetur për 20 vjet.
"Nuk ka asnjë pengesë që nuk mund të kapërcehet. Çdo person me aftësi të kufizuara, ashtu si unë, mund të merret me një veprimtari që i përshtatet. Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që gjejnë forcë për të vazhduar jetën, por edhe e shfrytëzojnë kohën në mënyrë të dobishme dhe të bukur", u shpreh ai.
Gungor falënderoi familjen dhe të afërmit e tij për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë punës artistike.














