Sikurse tashmë është bërë traditë, për nder të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, pjesa e vjetër e Prishtinës është zbukuruar me drita dekorative, duke krijuar një atmosferë më të ngrohtë festive.
Ky vit ka sjellë një risi, pasi përveç lagjes historike, është ndriçuar edhe sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës, duke e bërë më madhështore këtë solemnitet fetar.
Në ceremoninë e ndezjes së dritave ishin të pranishëm kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre.
Ata i uruan të gjithë agjëruesit për një muaj të bekuar, duke iu dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.
Atmosfera festive dhe dritat e ndezura në kryeqytet shënojnë kështu fillimin e muajit të Ramazanit, duke bashkuar qytetarët në shpresë, paqe dhe solidaritet.























