Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi të hënën se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po ndryshon panoramën energjetike globale dhe se Kroacia, falë terminalit të gazit në ishullin Krk dhe terminalit të naftës në Omishalj, ka një rol të rëndësishëm në sigurinë energjetike jo vetëm për veten, por edhe për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
“Në këto rrethana, së bashku me partnerët në nivel evropian dhe me aleatët tanë, do të angazhohemi gjithmonë për paqe dhe zgjidhje paqësore, por edhe për siguri e cila para së gjithash reflektohet në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, sigurisë së brendshme, parandalimin e migracionit të paligjshëm, si dhe në krijimin e një pozicioni më të fortë në thelbin e Bashkimit Evropian”, tha Plenkoviq mbrëmë gjatë shënimit të 36-vjetorit të themelimit të Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) në Varazhdin.
Sipas tij, pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të mos ndihen menjëherë, por në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm mund të bëhen të pashmangshme.
“Nëse rriten çmimet e energjisë gjithçka që bëjnë njerëzit, gjithçka mbi të cilën bazohet ekonomia, do të bëhet më e shtrenjtë. Për këtë nuk ka dilemë”, theksoi Plenkoviq, duke rikujtuar se Evropa është “jashtëzakonisht e varur” nga importi i lëndëve djegëse fosile.
Ndërkohë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga e shtuna kanë kryer sulme ushtarake ndaj Iranit, ku janë vrarë zyrtarë të lartë të sigurisë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei, si dhe janë raportuar qindra të vrarë dhe të plagosur.
Teherani është kundërpërgjigjur me breshëri raketash dhe sulme me dronë ndaj Izraelit dhe objektivave të lidhura me ShBA-në në të gjithë rajonin. Disa nga sulmet kanë shkaktuar dëme në objekte civile, gjë që është dënuar nga vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.





















