Gjykata e Strasburgut me seli në Francë do ta trajtojë çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës, pjesë e banuar me shqiptarë në territorin e Serbisë.
Avokati kosovar Drini Grazhdani ka njoftuar se Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka regjistruar padinë të cilën e ka dorëzuar në emër të Teuta Fazliut kundër Serbisë lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në komunat shqiptare Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që ka thënë se kanë ndodhur ndaj Fazliut.
Grazhdani ka thënë se regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90 për qind të rasteve që në fazën fillestare.
Avokati ka thënë se përmes kësaj padie kanë për qëllim që ta detyrojnë Serbinë të ndalojë praktikën e pazivizimit të adresave.
"Qëllimi im kryesor është që përmes këtij rasti, Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (rregulla 61). Kjo do të thotë që vendimi të mos mbetet vetëm për Teutën, por të detyrojë Serbinë të ndalojë këtë praktikë sistematike për të gjithë dhe të aplikohet në të gjitha rastet e ngjashme", ka shkruar ai.
Grazhdani ka shkruar se Serbia është angazhuar në spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve, duke i pasivizuar adresat jo vetëm të atyre që punojnë jashtë, por edhe të atyre që jetojnë brenda vendit dhe sipas tij ky pasivizim nuk është simbolik, por i detyron shqiptarët të largohen, pasi qytetarët humbasin të drejtën për të marrë letërnjoftim/pasaportë të re, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor, të drejtën e votës, etj.
"Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjithë të prekurve nga pasivizimi që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pa marrë parasysh faktin se Serbia i refuzon ato. Kjo është një fitore fillestare, dhe do të jem i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë", ka shkruar tutje avokati.
Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është shqetësim për banorët e këtij rajoni prej disa vitesh. Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar, hap i cili rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor, pension dhe për t'u punësuar.




















