Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar sot me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas mediave shqiptare në këtë takim të mbajtur në Pallatin e Brigadave, kryeministri Rama i ka propozuar presidentit Begaj ndryshimin e emrave të shtatë ministrave të kabinetit qeveritar.
Presidentit Begaj i duhen shtatë ditë kohë për të dekretuar ndryshimet të cilat do t'i paraqiten më pas Parlamentit për të marrë votëbesimin e deputetëve ku me këtë rast duhen 71 vota për të miratuar ndryshimet në qeveri në mënyrë që të nisë punën secili ministër.
Katër ditë më parë, kryeministri Rama shpalli një riorganizim të thellë të kabinetit qeveritar, duke prekur disa nga dikasteret më të rëndësishme të ekzekutivit.
Belinda Balluku u shkarkua nga posti i zv/kryeministres, detyrë e cila iu ngarkua Albana Koçiut. Në Ministrinë e Brendshme Besfort Lamallari, i cili mbante postin e ministrit të Drejtësisë, kaloi në krye të këtij dikasteri, duke zëvendësuar Albana Koçiun. Toni Gogu u emërua ministër i Drejtësisë, duke marrë detyrën nga Besfort Lamallari. Diplomati Ferit Hoxha u emërua në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke zëvendësuar në këtë post Elisa Spiropalin.
Drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e mori Enea Karakafi, pas largimit të Belinda Ballukut. Ermal Nasufi është emëruar ministër i ri i Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Pirro Vengun. Në Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin ministër u emërua Eriona Ismaili, duke zëvendësuar Toni Gogun, i cili u zhvendos në Drejtësi.




















