Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha sot se sulmi i nisur nga ShBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit duhej të ishte debatuar paraprakisht dhe se, duke u angazhuar me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një përdorim i tillë i forcës mund të fitojë legjitimitet.
“Vetoja e ushtruar nga disa anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka paralizuar veprimin kolektiv edhe kur përdorimi i forcës do të kishte qenë i nevojshëm për të mbështetur ligjin. Pavarësisht kësaj, ndërhyrja e vendosur në mënyrë të njëanshme nga Izraeli dhe ShBA-ja meritonte të debatohej brenda organeve kolektive të krijuara për këtë qëllim”, tha Barrot në një konferencë për mediat.
Ai tha se një përdorim i tillë i forcës “mund të fitojë legjitimitetin e nevojshëm” vetëm duke u angazhuar me Këshillin e Sigurimit. Barrot shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e Francës me vendet rajonale të prekura nga sulmet hakmarrëse të Iranit.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në mbrojtjen e tyre sipas kërkesës, në një mënyrë proporcionale dhe në përputhje me parimin e vetëmbrojtjes kolektive sipas ligjit ndërkombëtar”, shtoi Barrot.
Kryediplomati francez bëri thirrje për ndërprerjen e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak “sa më shpejt të jetë e mundur”.




















