Qeveria e Spanjës të hënën deklaroi se ShBA-ja nuk ka përdorur dhe nuk do të përdorë bazat ushtarake spanjolle për të kryer sulme ndaj Iranit, duke theksuar se Madridi mban kontroll të plotë mbi objektet e tij sovrane.
Sipas mediumit spanjoll El Diario, Ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares tha në një intervistë televizive se bazat në Rota dhe Moron de la Frontera “nuk po përdoren” për operacione të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe se Spanja nuk do të autorizojë asnjë shpërndarje të tillë.
“Bazat e sovranitetit spanjoll nuk do të përdoren për asgjë që nuk është brenda marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara ose për asgjë që nuk përputhet me Kartën e Kombeve të Bashkuara,” tha ai.
Albares ripërsëriti se, edhe pse bazat janë për përdorim të përbashkët, Spanja mban autoritetin përfundimtar, sipas raportit. Ai gjithashtu mohoi se ShBA-ja e kishte informuar Madridin paraprakisht për veprimet e saj, duke përshkruar sulmet e fundit si “një veprim unilaterale jashtë çdo veprimi kolektiv.”
Më herët gjatë ditës, Kryeministri Pedro Sanchez hodhi poshtë atë që e quajti “veprim unilateral” nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, duke paralajmëruar se kjo kontribuon në “një rend ndërkombëtar më të pasigurt dhe armiqësor.”
Albares tha se përshkallëzimi sjell “pasoja të paparashikueshme,” përfshirë shqetësime në Ngushticën e Hormuzit dhe rritje të çmimeve të naftës, dhe bëri thirrje për zbutje të tensioneve dhe diplomaci.
Spanja gjithashtu dënoi sulmet hakmarrëse nga Irani ndaj vendeve të Gjirit.




















