| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut kërkojnë evakuim nga Lindja e Mesme
Sipas njoftimit, personat që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Izraeli pritet që në orët e pasdites me avionin qeveritar të nisen drejt Shkupit.
Mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut kërkojnë evakuim nga Lindja e Mesme
Mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut kërkojnë evakuim nga Lindja e Mesme / TRT Balkan
2 orë më parë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut (MPJTJ) njoftoi se mbi 690 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evidentuar për evakuim nga Lindja e Mesme. 

MPJTJ-ja përmes një njoftimi publikoi numrin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Lindja e Mesme.

"Në kuadër të procesit të evakuimit, në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dhabi janë evidentuar 505 shtetas të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve 458 qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu, 31 persona janë paraqitur nga Kuvajti ndërsa 14 persona nga Bahreini. Në Doha, deri më sot, janë evidentuar 141 shtetas të Maqedonisë së Veriut", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, personat që kanë shprehur gatishmëri për evakuim nga Izraeli pritet që të nisen drejt Shkupit në orët e pasdites me avionin qeveritar.

"Në ditët në vijim pritet të fillojë realizimi i kthimit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe të qytetarëve që ndodhen në Katar, Bahrein dhe Kuvajt, për të cilët është paraparë kthimi me fluturime të organizuara përmes Mbretërisë së Arabisë Saudite", përcjell Ministria.

MPJTJ-ja rikujtoi se procesi i evakuimit realizohet sipas një plani tashmë të përpunuar, në përputhje me kushtet e sigurisë dhe në koordinim me institucionet kompetente.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë