| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria dënon "sulmin iranian" ndaj ambasadës së ShBA-së në Riad
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale thekson se Shqipëria dënon me forcë "sulmin iranian" që shënjestroi Ambasadën e ShBA-së në Riad.
Shqipëria dënon "sulmin iranian" ndaj ambasadës së ShBA-së në Riad
Shqipëria dënon "sulmin iranian" ndaj ambasadës së ShBA-së në Riad / AA
5 orë më parë

Shqipëria ka reaguar për "sulmin iranian" ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në kryeqytetin e ArabisëSaudite, Riad, duke dënuar sulmin në fjalë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale thekson se Shqipëria dënon me forcë "sulmin iranian" që shënjestroi Ambasadën e ShBA-së në Riad.

"Akte të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve themelore që mbrojnë misionet diplomatike dhe personelin e tyre në mbarë botën. Sulme të tilla jo vetëm që rrezikojnë jetë njerëzish, por gjithashtu rrisin tensionet dhe shtojnë rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm dhe të përshkallëzimit të pakontrolluar në një rajon tashmë të brishtë", thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se siguria e partnerëve dhe ruajtja e stabilitetit rajonal janë të panegociueshme.

"Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për sigurinë e aleatëve tanë dhe për mbrojtjen e personelit diplomatik", thekson deklarata.

Ambasada amerikane në kryeqytetin saudit u shënjestrua në një sulm me dron që shkaktoi zjarr të kufizuar dhe dëme të vogla materiale, por pa viktima, tha Ministria saudite e Mbrojtjes.

Ambasada tha se është mbyllur sot pas sulmit me dron, duke anuluar të gjitha takimet rutinë dhe emergjente të shërbimeve për qytetarët amerikanë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë