Një cisternë ruse me gaz natyror të lëngshëm u sulmua pranë ujërave territoriale të Maltës, njoftoi të mërkurën Ministria e Transportit e Rusisë, duke fajësuar anijet ukrainase pa pilot për sulmin.
Ministria tha se cisterna Artic Metagas u shënjestrua të martën në brigjet e Libisë.
Sipas deklaratës, anija ishte në rrugë nga porti veriperëndimor rus i Murmanskut dhe mbante ngarkesë "të pastruar në përputhje me të gjitha rregulloret ndërkombëtare".
"Ne e klasifikojmë këtë incident si një akt terrorizmi ndërkombëtar dhe piraterie detare, një shkelje e rëndë e normave themelore të ligjit ndërkombëtar detar", tha ministria.
Ajo shtoi se akte të tilla, të kryera me "miratimin e autoriteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian", nuk duhet të kalojnë pa u vënë re nga bashkësia ndërkombëtare.
Ukraina nuk ka komentuar mbi pretendimet e Rusisë.



















