| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rutte në Shkup: Siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n
"Pavarësisht vargut të sfidave të sigurisë me të cilat përballemi, siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n", tha Mark Rutte, duke iu drejtuar deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Rutte në Shkup: Siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n
Rutte në Shkup: Siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n / TRT Balkan
2 orë më parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n.

Në kuadër të vizitës në Maqedoninë e Veriut, Rutte iu drejtua deputetëve në Kuvend.

Duke tërhequr vëmendjen se ushtarët e vendit shërbejnë në Forcat e Përparuara Tokësore të NATO-s në Bullgari dhe Letoni, ndërsa në Kosovën fqinje janë pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO, KFOR, Rutte tha se "jeni bërë eksportues të sigurisë".

"KFOR-i është i rëndësishëm për të gjithë ne. Ai ka kontribuar ndjeshëm në sigurinë rajonale dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Përkushtimi i NATO-s ndaj KFOR-it mbetet i palëkundur", deklaroi Rutte.

"Pavarësisht vargut të sfidave të sigurisë me të cilat përballemi, siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n", shtoi ai.

Duke rikujtuar se avionë nga Greqia dhe Italia patrullojnë në hapësirën ajrore të vendit, Rutte deklaroi: "Kjo dërgon një sinjal të qartë - askush nuk është vetëm në NATO. Miqtë dhe aleatët tuaj janë gjithmonë me ju".

Ndërsa përballen me një botë më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme, Rutte tha se Rusia vazhdon të kërcënojë sigurinë e aleatëve të NATO-s dhe të zhvillojë luftën e saj agresive kundër Ukrainës.

"Rusia është bashkuar me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin dhe së bashku po zgjerojnë ushtritë e tyre dhe aftësinë për të ushtruar presion mbi ne", tha Rutte.

Në fjalimin e tij ai gjithashtu u ndal te detyrimet e aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes. "E mirëpres faktin që Maqedonia e Veriut dhe aleatët e tjerë me të vërtetë po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen", deklaroi ai.

Para fjalimit, Rutte realizoi takim me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Në takim morën pjesë edhe koordinatorët dhe zëvendëskoordinatorët Nikolla Micevski, Jovanka Trenchevska, Bekim Qoku, Rina Ajdari dhe Boban Karapejovski; shefi i delegacionit parlamentar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Dragan Kovaçki dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë