Anija kërkimore sizmike e Turqisë "Oruç Reis" ka mbërritur në Pakistan për misionin e saj të dytë ndërkontinental, pas operacioneve në brigjet e Somalisë, njoftoi sot drejtori i Komunikimeve, Burhanettin Duran.
Duran tha në platformën turke të mediave sociale NSosyal se anija do të kryejë aktivitete të mbledhjes së të dhënave sizmike 2D dhe 3D në dy zona të veçanta të ujërave pakistaneze.
Anija, e cila më parë ka kryer aktivitete eksplorimi në zonat detare turke dhe në brigjet e Somalisë, ka rreth 87 metra gjatësi dhe rreth 23 metra në gjerësi.
Duran tha se anija "Oruç Reis", e pajisur me teknologji të përparuar, sistem pozicionimi dinamik dhe aftësi të sofistikuara kërkimore sizmike, demonstron kapacitetin inxhinierik dhe teknologjik të Turqisë në eksplorimin e energjisë.
Ai theksoi se Türkiye vazhdon t'i zgjerojë aftësitë e saj kombëtare në rajone të reja duke e forcuar bashkëpunimin strategjik me vendet partnere.
"Nën udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, ne vazhdojmë ta forcojmë bashkëpunimin tonë strategjik me vendet mike dhe vëllazërore, duke i sjellë aftësitë tona kombëtare në gjeografi të reja në përputhje me qëllimin tonë për pavarësinë energjetike", tha Duran.
Ai i uroi suksese ekuipazhit të anijes në misionin e tyre të ri dhe falënderoi të përfshirët në projekt.














