| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Protestë në Tiranë kundër ligjit “Për barazinë gjinore”, thirrje Begajt të mos e dekretojë
Protestës iu bashkuan edhe dhjetëra qytetarë që mbajtën pankarta me thirrje drejtuar Presidentit Bajram Begaj, duke kërkuar që ai të mos e dekretojë ligjin që, sipas tyre, cenon familjen tradicionale dhe rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve.
Protestë në Tiranë kundër ligjit “Për barazinë gjinore”, thirrje Begajt të mos e dekretojë
Protestë në Tiranë kundër ligjit “Për barazinë gjinore”, thirrje Begajt të mos e dekretojë / Facebook/Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës
15 Nëntor 2025

Aktivistë të koalicionit “Pro familjes dhe jetës” zhvilluan një protestë paraditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, duke kundërshtuar ligjin e ri “Për barazinë gjinore”. 

Sipas tyre, ky ligj cenon familjen tradicionale dhe rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve.

Protestës iu bashkuan edhe dhjetëra qytetarë që mbajtën pankarta me thirrje drejtuar Presidentit Bajram Begaj, duke kërkuar që ai të mos e dekretojë ligjin.

Aktivistja Linda Pano tha gjatë fjalës së saj se ligji “prek fëmijët nga mosha 4 deri në 18 vjeç” dhe se ai do të detyrojë përfshirjen e edukimit gjinor në shkolla, çka sipas saj “rrezikon ta cenojë fëmijërinë dhe familjen”.

“Ky ligj detyron mësimin e edukimit gjinor në shkollë. 77 tradhtarë Shqipëri ta vunë kokën në hi, president mos u bëj i 78-ti”, deklaroi Pano.

Një tjetër aktiviste theksoi se familja, si “institucioni themelor i shoqërisë”, po vihet në shënjestër të “propagandës ideologjike” që, sipas saj, po zëvendëson vlerat tradicionale.

“Ligjet duhet të bëhen për ta mbrojtur dhe për ta fuqizuar rolin e familjes, edukues të fëmijëve, jo për t’ia cënuar apo marrë asaj këtë rol të pazëvendësueshëm që i është dhënë nga vetë Zoti”, u shpreh aktivistja duke shtuar se “Sot jemi të detyruar të japim arsye sepse gruaja është grua dhe pse burri është burrë”.

Ligji “Për barazinë gjinore” u miratua në Kuvend pak ditë më parë, por ka shkaktuar debate dhe kundërshti të forta nga grupe konservatore dhe aktivistë që e kanë cilësuar “ligj antikombëtar dhe kundër familjes tradicionale”.

BURIMI:ATA