| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Gjermania dhe Katari diskutojnë për një "arkitekturë të re të sigurisë" në Lindjen e Mesme
Presidenti gjerman Steinmeier dhe emiri i Katarit, Al Thani diskutuan për përfundimin e konfliktit rajonal, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjermania dhe Katari diskutojnë për një "arkitekturë të re të sigurisë" në Lindjen e Mesme
Gjermania dhe Katari diskutojnë për një "arkitekturë të re të sigurisë" në Lindjen e Mesme/ AA / َAA
 

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani diskutuan sot në Berlin mbi propozimet për një “arkitekturë të re rajonale të sigurisë në Lindjen e Mesme".

Steinmeier e priti emirin e Katarit me nderime ushtarake në Villa Borsig, përpara se të dy udhëheqësit të zhvillonin një takim kokë më kokë, i pasuar nga bisedimet mes delegacioneve të tyre. Diskutimet u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit që përfshin Iranin dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, sipas një deklarate të përbashkët.

“Dy krerët e shteteve shkëmbyen mendime lidhur me situatën në Lindjen e Mesme. Presidenti gjerman shprehu solidaritetin e vendit të tij me Katarin përballë sulmeve të pajustifikuara të Iranit”, thuhet në deklaratë.

“Ata diskutuan mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hequr bllokadën në Ngushticën e Hormuzit. Gjithashtu, diskutuan mbi perspektivat afatmesme dhe afatgjata për dialog, ndërtimin e besimit dhe krijimin e një arkitekture të re rajonale të sigurisë në Lindjen e Mesme”, thuhet më tej.

Sipas deklaratës, Steinmeier ia prezantoi emirit të Katarit idenë e tij për një “Konferencë për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Lindjen e Mesme” ndërsa të dy ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e mendimeve për këtë propozim.

Sheikh Tamim e ftoi Steinmeierin të marrë pjesë në Forumin e Dohas në Katar, më 5 dhe 6 dhjetor, për ta diskutuar propozimin me aktorë të tjerë përkatës rajonalë.

- Gjermania dhe Katari zotohen për bashkëpunim më të ngushtë

Steinmeier dhe Sheikh Tamim riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Katari dhe Gjermania bashkohen nga interesat e përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë si dhe nga përkushtimi ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kjo është vizita e parë e një emiri të Katarit në Gjermani që nga viti 2010, kur vendin e vizitoi babai i ndjerë i Sheikh Tamimit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani.