Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë mortajash, po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani, të organizuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtrimi fushor “Dynamic Front” është një stërvitje shumëkombëshe që synon testimin e ndërveprueshmërisë së ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
Këtë vit, ushtrimi po zhvillohet paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Türkiye.
FSK-ja ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore “Grafenwoehr Training Area”, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjete, armatim dhe municion.
“Kontingjenti i FSK-së ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparmë – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Gjatë ushtrimit fushor “Dynamic Front 26”, FSK-ja ka demonstruar aftësitë dhe përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer përvoja, mësime dhe praktika me forcat partnere ndërkombëtare.



















