| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kolona kilometrike në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë për shkak të protestës së transportuesve
Transportuesit paralajmërojnë se Bosnja e Hercegovina mund të përballet me një situatë ku importi dhe eksporti i mallrave janë seriozisht të rrezikuara dhe zinxhirët e furnizimit vihen në pikëpyetje.
Kolona kilometrike në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë për shkak të protestës së transportuesve
Kolona kilometrike në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë për shkak të protestës së transportuesve / AA
10 orë më parë

Qindra kamionë bllokuan pikën kufitare Svilaj në Bosnjë e Hercegovinë, duke formuar kolona kilometrike, pasi transportuesit protestuan kundër rregullave të Bashkimit Evropian (BE) që kufizojnë qëndrimin e tyre në hapësirën Shengen në 90 ditë.

Trafiku i udhëtarëve zhvillohet pa pengesa ndërsa kamionët janë të parkuar përgjatë rrugës.

Bllokimi i pikave kufitare është i ndaluar në entitetin e Republikës Sërpska, në kantonin e Hercegovinës Perëndimore dhe në kantonin Una-Sana, por në kantonin Posavina nuk janë ndërmarrë masa të tilla.

Transportuesit paralajmërojnë se Bosnja e Hercegovina mund të përballet me një situatë ku importi dhe eksporti i mallrave janë seriozisht të rrezikuara dhe zinxhirët e furnizimit vihen në pikëpyetje, nëse nuk nisin urgjentisht bisedime të drejtpërdrejta me institucionet e BE-së dhe vendet fqinje.

Borjana Krishto, kryesuese e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, më herët u ka propozuar kryeministrave të Ballkanit Perëndimor nisjen e një iniciative të përbashkët ndaj BE-së për zgjidhjen e koordinuar të problemeve të sektorit të transportit rrugor ndërkombëtar në rajon.

Transportuesit thonë se prej kohësh përballen me probleme në kufijtë me BE-në për shkak të zbatimit të rregullores që përcakton rregullin e qëndrimit 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Në fund të janarit, përfaqësuesit e transportuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor protestuan në kufijtë e BE-së për të shprehur pakënaqësinë ndaj këtij rregulli, por kjo nuk çoi në ndryshimin e rregullave evropiane.

Transportuesit kërkojnë heqjen e akcizave për karburantin nga autoritetet vendore, kthimin e TVSH-së për transportin ndërkombëtar si dhe nga Administrata për Tatimin Indirekt zbatimin e masave të dakorduara më herët me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe uljen e kohës së pritjes në kufij.

Ata theksojnë se janë të detyruar të bllokojnë për shkak të, siç thonë, rregullave diskriminuese që kufizojnë qëndrimin e tyre në BE, edhe pse i posedojnë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme dhe qëndrojnë në BE vetëm në tranzit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë