Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se ka urdhëruar shtyrjen me 5 ditë të të gjitha sulmeve ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike të Iranit, duke cituar bisedime "shumë të mira dhe produktive" me Teheranin gjatë dy ditëve të fundit.
"Jam i kënaqur të raportoj se ShBA-ja dhe Irani kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, bisedime shumë të mira dhe produktive për një zgjidhje të plotë dhe të gjithanshme të konflikteve tona në Lindjen e Mesme", tha Trumpi në platformën e tij të mediave sociale, "Truth Social".
Ai shtoi se, bazuar në "tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës", ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes t’i shtyjë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centralëve elektrike dhe infrastrukturës energjetike të Iranit për një periudhë pesëditore.
Ai theksoi se ky vendim varet nga suksesi i takimeve dhe diskutimeve në vazhdim.
Ky vendim vjen ndërsa tensionet rajonale kanë vazhduar të përshkallëzohen që nga sulmet e përbashkëta ShBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke trazuar tregjet globale dhe trafikun ajror.




















