Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij aktualisht nuk ka probleme me furnizimin me energji, pavarësisht krizës globale të shkaktuar nga përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në përbërje të zgjeruar, kushtuar situatës energjetike, Vuçiq në një konferencë për media prezantoi masat për periudhën në vijim, përfshirë lirimin e rreth 40 mijë tonëve të naftës nga rezervat shtetërore dhe uljen shtesë të akcizave me 40 për qind.
“Furnizimi i plotë nuk vihet në pikëpyetje, nuk ka panik, ka gjithçka. Mos blini pa nevojë, kemi gjithçka. Çështja është vetëm çmimi në këtë moment. Çfarë do të ndodhë pas dy muajsh, do ta shohim atëherë”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu njoftoi se do të zhvillohen bisedime me partnerët rusë, përfshirë mundësisht edhe me presidentin rus, Vlladimir Putin, për një marrëveshje të re për gazin, pasi kontrata aktuale skadon më 31 mars.
“Në ditët në vijim do të duhet të bisedojmë me rusët. Nëse arrijmë një çmim më të favorshëm, si deri tani, për tre muajt e ardhshëm, kjo do të na lehtësonte ndjeshëm”, shtoi ai.
Vuçiq bëri të ditur se çmimi i naftës do të rritet me katër dinarë, në rreth 1,8 euro, ndërsa benzina me dy dinarë, në rreth 1,6 euro.
Ai theksoi se problemi kryesor nuk është vetëm nafta, por edhe gazi, duke shtuar se çmimi i gazit në tregjet botërore ka arritur në 735 dollarë për 1.000 metra kub, niveli më i lartë në tre vjet e gjysmë.
Presidenti serb paralajmëroi se, për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe tensioneve rreth tubacioneve të naftës dhe gazit, vendi mund të përballet me masa të vështira në muajt në vijim, por shtoi se Serbia është përgatitur me kohë dhe disponon rezerva të konsiderueshme energjie.
“Edhe nëse furnizimi me gaz ndalet nesër, sistemi ynë mund të përballojë rreth 6 milionë metra kub në ditë nga rezervat, duke stabilizuar nevojat bazë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se ulja e akcizave synon ta frenojë rritjen e inflacionit dhe ta ruajë standardin e jetesës së qytetarëve.























