Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se ShBA-ja nuk ka rënë dakord të krijojë prodhim të mjaftueshëm raketash në Evropë, përfshirë sistemet Patriot, pavarësisht se Kievi e ngriti çështjen "vite më parë".
"Kishte premtime për licenca, por në fund ShBA-ja nuk ra dakord me këtë", tha Zelenskyy në një video-adresim mbrëmë.
Ai theksoi se Ukraina propozoi prodhim në territorin e saj si dhe prodhim të përbashkët me partnerët rajonal të NATO-s, përfshirë Rumaninë dhe Poloninë.
"Vendime të tilla dhe prodhim i tillë do të na forconin patjetër të gjithë neve, të gjithë Evropën", shtoi ai.
Presidenti ukrainas theksoi se Evropa duhet të prodhojë raketat e veta të mbrojtjes ajrore, një temë që pritet të diskutohet javët e ardhshme.
Ai pranoi se disa hapa tashmë janë ndërmarrë dhe se prodhimi i raketave po zhvillohet dhe po zgjerohet, por e quajti ritmin "të pamjaftueshëm".
"Jam i bindur se Evropa ende do të jetë në gjendje të sigurojë veten me vëllimet dhe forcën mbrojtëse të nevojshme. Por, do të ishte shumë më mirë për të gjithë nëse ky rezultat do të arrihej më shpejt", tha Zelenskyy.







