| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Londër, mbi 20 mijë nënshkrime kundër koncertit të Marilyn Manson në "Wembley"
Fushata u bën thirrje stadiumit "Wembley" dhe kompanisë "Live Nation" që ta heqin këngëtarin nga koncerti i grupit Slipknot, i planifikuar për vitin 2027 në Londër, për shkak të akuzave për abuzim seksual.
Londër, mbi 20 mijë nënshkrime kundër koncertit të Marilyn Manson në "Wembley"
Londër, mbi 20 mijë nënshkrime kundër koncertit të Marilyn Manson në "Wembley"/ AA / َAA
 

Më shumë se 20 mijë persona kanë nënshkruar një peticion që kërkon largimin e këngëtarit amerikan të rokut Marilyn Manson nga një koncert në Londër në vitin 2027, për shkak të akuzave për abuzim seksual ndaj tij.

Peticioni, i nisur në fillim të nëntorit nga Anton Georgiou, anëtar i këshillit lokal në lagjen Brent të Londrës, i bën thirrje stadiumit "Wembley" dhe organizatorit të koncerteve "Live Nation" që të rishqyrtojnë performancën e planifikuar të Mansonit.

Këngëtari pritet të paraqitet si artist mbështetës i grupit të metalit të rëndë Slipknot në stadiumin "Wembley" më 3 korrik 2027. Manson, emri i vërtetë i të cilit është Brian Hugh Warner, u njoftua si pjesë e programit në shtator, së bashku me grupet Lorna Shore dhe Hatebreed.

Peticioni në platformën Change.org argumenton se lejimi i performancës së Mansonit në një nga skenat më të njohura të koncerteve në Britani do t’u dërgonte mesazh të gabuar personave që kanë mbijetuar nga dhuna seksuale.

Sipas organizatorëve, peticioni është mbështetur nga organizata që zhvillojnë fushata kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

- Këngëtari mohon akuzat për abuzim

Manson, 57 vjeç, është përballur me akuza të shumta për abuzim seksual dhe fizik që nga viti 2021, kur ish-partnerja e tij, aktorja Evan Rachel Wood, e akuzoi publikisht për abuzim.

Këngëtari i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Një padi civile e ngritur nga ish-asistentja e tij, Ashley Walters, e cila e akuzon për sulm seksual dhe abuzim gjatë viteve 2010 dhe 2011, pritet të shqyrtohet nga një juri në Los Anxhelos në nëntor 2027.

Çështje të tjera ligjore që përfshijnë Mansonin janë rrëzuar, tërhequr ose zgjidhur me marrëveshje. Një padi e ngritur nga aktorja Esme Bianco u zgjidh me marrëveshje në vitin 2023.

Në janar të vitit 2025, prokurorët në Los Anxhelos njoftuan se nuk do të ngrinin akuza penale ndaj Mansonit pas një hetimi të gjatë. Prokurorët përmendën mungesën e provave të mjaftueshme për të vërtetuar disa nga akuzat përtej dyshimit të arsyeshëm si dhe skadimin e afateve ligjore për të tjerat.

- Programi i koncertit mbetet i pandryshuar

Stadiumi "Wembley" ka bërë të ditur se vendimet lidhur me artistët që performojnë para grupit kryesor u takojnë organizatorëve të koncerteve dhe artistëve kryesorë.

Janë zhvilluar diskutime me kompaninë "Live Nation" lidhur me shqetësimet e ngritura në peticion. Megjithatë, deri më tani nuk është njoftuar asnjë ndryshim në programin e koncertit.