| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Begaj dhe Osmani urojnë Fitër Bajramin, theksojnë solidaritetin dhe vlerat njerëzore
Nga Golemi në Prishtinë, krerët e shteteve bëjnë thirrje për unitet, paqe dhe përkushtim përtej muajit të Ramazanit.
Begaj dhe Osmani urojnë Fitër Bajramin, theksojnë solidaritetin dhe vlerat njerëzore
Begaj dhe Osmani urojnë Fitër Bajramin, theksojnë solidaritetin dhe vlerat njerëzore / Presidenca e Shqipërisë
2 orë më parë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, festoi sot Bajramin e Fitrit mes besimtarëve myslimanë në Golem, nga ku përcolli urimet për të gjithë shqiptarët. Gjatë vizitës në xhaminë e zonës, ai uroi besimtarët me mesazhin: “Gëzuar Fitër Bajramin”.

Begaj theksoi se vlerat e muajit të Ramazanit, si përkushtimi, vetëpërmbajtja dhe sakrifica, duhet të jenë pjesë e përditshme e jetës së secilit. Ai uroi që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar, duke uruar paqe, gëzim dhe bekime për të gjithë.

Ndërkohë, në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani vizitoi Bashkësinë Islame e Kosovës, ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava. Ajo vlerësoi rolin e kësaj feste në forcimin e solidaritetit dhe vlerave njerëzore.

Osmani theksoi se bashkimi dhe solidariteti kanë qenë vendimtarë për tejkalimin e sfidave si popull, duke falënderuar edhe për angazhimin në ndihmë të familjeve në nevojë, veçanërisht gjatë Ramazanit.

Gjatë ditës, Bashkësia Islame e Kosovës pritet të presë edhe vizita nga përfaqësues të tjerë politikë dhe fetarë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë