Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se Ukraina po përballet me dimrin më të ashpër që nga fillimi i luftës, ndërsa Rusia po i intensifikon sulmet e drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.
“Muajt e ardhshëm të dimrit do ta vënë sërish Ukrainën përballë një prove shumë të vështirë, ndoshta sfidës më të madhe të gjithë kësaj lufte”, tha Merz në Forumin e 9-të Ekonomik Gjermano-Ukrainas në Berlin. Ai akuzoi Rusinë se po e shënjestron qëllimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës, termocentralet dhe rrjetin elektrik, me qëllim që ta detyrojë Kievin të dorëzohet.
“Ne tashmë e njohim këtë taktikë nga dimri i kaluar. Kjo është një përpjekje e përsëritur dhe këtë herë shumë më brutale për ta rraskapitur popullin e Ukrainës dhe për ta detyruar atë të gjunjëzohet”, tha ai. Merz premtoi se Gjermania dhe partnerët e saj do ta shtojnë mbështetjen për Ukrainën, ashtu siç ranë dakord gjatë takimit të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Berlin të enjten.
“Këtë vit, gjithashtu, nuk do ta lëmë popullin e Ukrainës të përballet i vetëm me muajt e ftohtë dhe të ashpër të dimrit. Përkundrazi, do ta intensifikojmë mbështetjen tonë në aspektin e mbrojtjes, ndihmës humanitare dhe asistencës ekonomike", tha Merz.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi të nivelit të lartë ekonomik në Berlin, ku morën pjesë afro 500 të ftuar, përfshirë kryeministrin ukrainas Serhiy Koretskyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga të dyja qeveritë si dhe drejtues të bizneseve dhe përfaqësues të kompanive gjermane dhe ukrainase.














