| Albanian
KULTURË
3 minuta leximi
Simiti, ushqimi i rrugës më i kërkuar në Türkiye
Simiti, një nga ushqimet e pazëvendësueshme të mëngjesit në Türkiye, pëlqehet në të gjitha rajonet e vendit në variantet e tij të ndryshme.
Simiti, ushqimi i rrugës më i kërkuar në Türkiye
Simiti, ushqimi i rrugës më i kërkuar në Türkiye
 

Simiti, një nga ushqimet e rrugës më të kërkuara në Türkiye, spikat ndër shijet tradicionale të vendit me rreth 100 lloje të ndryshme.

Simiti, një nga ushqimet e pazëvendësueshme të mëngjesit në Türkiye, pëlqehet në të gjitha rajonet e vendit në variantet e tij të ndryshme.

Llojet rajonale të simitit dallohen për përbërësit e tyre, si me susam, pa susam dhe me pekmez, si dhe për teknikat e veçanta të pjekjes, duke pasqyruar pasurinë e kulturës kulinare turke.

Nga simiti krokant i Stambollit, te simiti me ngjyrë më të errët i Ankarasë dhe simiti i quajtur "gevrek" në Izmir, kjo shije ofron variante të ndryshme rajonale dhe dëshmon se simiti është njëkohësisht edhe trashëgimi kulturore.

Origjinën që nga periudha osmane

Savas Delibas, kryetar i Dhomës së Zejtarëve të Simitit, Pideve dhe Çorekëve në Ankara, në një prononcim për Anadolu tha se tradita e simitit, e cila daton që nga periudha osmane, vazhdon të ruhet në qytete të ndryshme të Türkiyes.

Duke shpjeguar se simiti konsumohet gjerësisht në qytete si Ankara, Istanbuli, Izmiri, Bursa dhe Eskisehiri, veçanërisht si një alternativë praktike për mëngjes, Delibas tha:

"Çdo qytet ka traditën e vet të simitit, ndërsa metodat e prodhimit ndryshojnë nga një rajon në tjetrin. Në simitin e Ankarasë përdoret një metodë e veçantë me pekmez të ftohtë, ndërsa në simitin e Stambollit mund të përdoren lloje të ndryshme yndyrash. Simiti 'gevrek' i Izmirit përgatitet duke u zier paraprakisht. Në disa qytete, si Kastamonu dhe Rize, prodhohen edhe lloje simiti pa susam".

Simiti i pëlqyer edhe jasht Türkiyes

Delibas bëri të ditur se në të gjithë Türkiye gjenden rreth 100 lloje të ndryshme simiti, duke vijuar:

"Përveç simitit tradicional të rrugës dhe furrave të simitit, gjatë viteve 2000 filluan të përhapeshin edhe kafenetë e specializuara për simit. Nevoja për një mëngjes të shpejtë në qytetet me numër të madh nëpunësish dhe studentësh ndikoi në këtë ndryshim. Kur filluan të hapeshin kafenetë e para të simitit, vendosëm në lokale kuti për sugjerime dhe ankesa. Sugjerimet e studentëve universitarë luajtën rol të rëndësishëm në këtë proces. Duke u bazuar në kërkesat e tyre, e ndërthurëm simitin me shije të ndryshme. Kështu, përveç simitit tradicional, konsumatorëve u ofruam edhe variante të tjera, si simit me ullinj, djathë, gjalpë, suxhuk, kajmak dhe çokollatë".

Duke theksuar se simiti, një nga produktet tradicionale të kuzhinës turke, po u prezantohet konsumatorëve edhe jashtë vendit, Delibas tha:

"Sidomos në vendet ku jetojnë shumë shtetas turq, interesi për simitin dhe konceptin e kafeneve të specializuara për të është rritur bashkë me kërkesën e konsumatorëve. Me zhvillimin e mundësive teknologjike dhe të modeleve të biznesit, tradita e simitit është bërë më e njohur edhe në vende të ndryshme".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë