Lidhjet e Jeffrey Epsteinit, i dënuar për krime seksuale, me disa nga figurat më të fuqishme politike dhe të biznesit kanë zënë faqet kryesore të mediave anembanë botës muajt e fundit.
Miliona dokumente, video dhe imazhe të lidhura me Epsteinin, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së, kanë nxitur një stuhi vëmendjeje publike mbi rrjetin e tij të trafikimit seksual, i cili përfshinte qindra vajza të mitura, por që për një kohë të gjatë arriti t’i shmangej organeve të rendit.
Megjithëse rrjeti i tij i trafikimit seksual dhe krimet ndaj vajzave të mitura përmendeshin në raporte policore dhe dokumente gjyqësore që në fillim të viteve 2000, Epsteini i shpëtoi drejtësisë deri në vitin 2008.
Edhe pasi u dënua me 18 muaj burg në vitin 2008, ai nuk kaloi shumë kohë në qeli: iu lejua të jetonte në rezidencën e tij luksoze dhe madje të udhëtonte drejt ishullit të tij famëkeq në Ishujt Virgjine të ShBA-së.Më e habitshme është se Epsteini iu rikthye stilit të tij luksoz të jetesës pasi dënimi, i reduktuar në 13 muaj, përfundoi në mesin e vitit 2009.
Ai nuk u arrestua sërish deri një dekadë më vonë, pavarësisht faktit se akuzohej për abuzim dhe trafikim të më shumë se 1.000 vajzave.
Por si arriti Epstein t’i shmangej drejtësisë për kaq shumë kohë, deri sa u burgos në Nju Jork, ku kreu vetëvrasje në vitin 2019?
Analistë dhe gazetarë investigativë, të cilët kanë luajtur një rol kyç në ekspozimin e pjesshëm të rrjetit të tij kriminal, dyshojnë se lidhjet e forta të Epsteinit me agjenci inteligjence amerikane, izraelite dhe ndoshta edhe të tjera, si dhe marrëdhëniet e tij me elita politike dhe financiare, e ndihmuan të shmangte ligjin për shumë vite.
A ishte Epstein spiun?
Një nga pjesët që mungon në mozaikun e çështjes Epstein është dyshimi se ai ka punuar si spiun për agjenci të ndryshme inteligjence.
Vicky Ward, gazetare investigative që luajti rol të rëndësishëm në demaskimin e Epsteinit, sjell kontekst duke cituar Alexander Acostan, ish-prokuror federal në Floridën e Jugut, i cili i ofroi Epsteinit një marrëveshje shumë të diskutueshme në vitin 2008.
Ward citon Acostan të ketë thënë se ishte informuar nga eprorët se Epstein “i përkiste inteligjencës”, me sa duket CIA-s, dhe kishte status “i paprekshëm”. Për këtë arsye, Acosta nuk mund të vazhdonte ndjekjen penale sepse Epstein ishte “mbi nivelin e tij të pagesës”.
“Pra, Acosta, sipas vetë tij, u tërhoq nga ndjekja penale në vitin 2007, pavarësisht provave të shumta për fajësinë e Epsteinit, sepse ai ‘i përkiste inteligjencës’. Por cilës inteligjencë, saktësisht?” – shkruan John Schindler, ekspert sigurie dhe ish-analist i NSA-së.
Schindler beson se Epstein ishte padyshim spiun, por nuk është i sigurt për cilën agjenci, duke përmendur inteligjencën ruse dhe izraelite, dhe sugjeron se ai kishte lidhje edhe me agjenci amerikane si FBI-ja.
Përveç episodit Acosta, ka edhe tregues të tjerë se Epstein kishte ndërmjetësuar transaksione politike, financiare dhe herë pas here ushtarake mes ShBA-së, Izraelit dhe shteteve të tjera që në vitet e hershme të karrierës së tij.
Epstein, i cili punoi për grupin investues amerikan Bear Stearns në vitet 1980, dyshohet se ishte i përfshirë edhe në trafik armësh në rininë e tij. Ward shkruan se ai organizoi një takim me kontraktorë të mbrojtjes në Pentagon në vitin 1981.
Dan Steinbock, ekspert i njohur i çështjeve globale, vlerëson se diçka ishte thellësisht e gabuar në faktin që Epstein gëzonte “imunitet politik afatgjatë edhe pas krimeve të dokumentuara, si dhe nën mbikëqyrjen e FBI-së”.
Sipas tij, “kohëzgjatja e aktiviteteve të Epsteinit, vizitorët e tij izraelitë të nivelit të lartë dhe objektivat e profilit të lartë në politikën amerikane” tregojnë lidhje me komunitetet e inteligjencës.
Me “vizitorë izraelitë të nivelit të lartë”, Steinbock i referohet ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak, i cili kishte shërbyer edhe si shef i ushtrisë.
Lidhjet e Barakut me Epsteinin janë dokumentuar gjerësisht, përfshirë qëndrimet e tij në rezidencën e Epstein-it në Manhattan gjatë vizitave në ShBA.
“Është shumë e turpshme”, thotë Alon Liel, ish-drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, duke iu referuar lidhjeve Epstein–Barak.
Megjithatë, Liel shprehet i pasigurt nëse Mossad-i ka shfrytëzuar kontaktet e Epsteinit për interesa izraelite.
Pavarësisht mohimeve të qeverisë së Netanyahut për lidhjen e Izraelit me Epsteinin, ekzistojnë disa asociacione mes financierit të diskredituar dhe shtetit izraelit.
Përtej lidhjes me Barakun, Epstein luajti rol kyç në një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Bregut të Fildishtë, si dhe u përfshi në vendosjen e marrëdhënieve Izrael–Mongoli, sipas dokumenteve të publikuara.
Sipas një raporti të FBI-së të vitit 2020, një burim i inteligjencës amerikane tha se Epstein “ishte një agjent i kooptuar i Mossadit”, i “trajnuar si spiun” për shërbimin inteligjent izraelit.
Analistja politike Ecaterina Matoi thotë se dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se Epstein ishte i përditësuar me zhvillimet globale, veçanërisht në vende me interes për shërbimet e inteligjencës. Kjo, sipas saj, tregon për një figurë që e tejkalon nivelin e një informatori të zakonshëm.
Edhe autorë të tjerë besojnë se Epstein kishte lidhje të qarta me Mossad-in, përfshirë autorët e librit Epstein: Dead Men Tell No Tales, të cilët bazohen në dëshmitë e ish-oficerit izraelit Ari Ben-Menashe.
Lidhja Epstein–Maxwell
Lidhjet e Epsteinit me Izraelin kanë edhe një dimension personal përmes Robert Maxwellit, babait të Ghislaine Maxwellit, bashkëpunëtores së tij të ngushtë.
Steinbock beson se roli i familjes Maxwell duhet marrë seriozisht në këtë kontekst. Robert Maxwell, biznesmen dhe magnat mediatik britaniko-hebre, kishte lidhje të forta me Izraelin që nga Lufta Arabo-Izraelite e vitit 1948.
Maxwell vdiq në rrethana të dyshimta në vitin 1991 dhe u varros në Malin e Ullinjve në Jeruzalem, në një funeral ku morën pjesë figura të larta politike dhe të inteligjencës izraelite.
Sipas Ward, Maxwell ishte një “ndërmjetës mes izraelitëve dhe qeverive të tjera” dhe e prezantoi Epsteinin me liderë izraelitë, të cilët më pas “dyshohet se e përdorën si një agjent të fjetur”.
Ghislaine Maxwell u dënua me 20 vjet burg për përfshirjen e saj në krime seksuale dhe trafikim. Së fundmi, ajo refuzoi të zbulojë lidhjet e saj dhe të Epsteinit me qarqet e larta politike, duke u mbrojtur me Amendamentin e Pestë.



















