| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Nestlé tërheq qumshtin formulë për foshnja në mbi 50 vende, u kërkon ndjesë prindërve
Kompania e justifikoi tërheqjen si “masë parandaluese pasi u identifikua një problem cilësie” dhe se nuk janë raportuar raste sëmundjesh.
Nestlé tërheq qumshtin formulë për foshnja në mbi 50 vende, u kërkon ndjesë prindërve
Nestlé tërheq qumshtin formulë për foshnja në mbi 50 vende, u kërkon ndjesë prindërve / Reuters
18 orë më parë

Nestlé kërkoi ndjesë të mërkurën ndaj prindërve dhe kujdestarëve pas një tërheqjeje parandaluese të disa produkteve të qumshtit formulë për foshnja, që prek disa vende në mbarë botën, pasi u identifikua ajo që kompania e përshkroi si “një problem cilësie” i lidhur me një përbërës të përdorur në procesin e prodhimit.

Në deklarata drejtuar drejtpërdrejt konsumatorëve, drejtori ekzekutiv i Nestlé, Philipp Navratil, tha se kompania e njoftoi tërheqjen javën e kaluar “si masë parandaluese, pasi u identifikua një problem cilësie me një përbërës të përdorur në disa nga produktet tona”.

“Para se ta shpjegoj situatën më në detaje, dua së pari të kërkoj ndjesë sinqerisht për shqetësimin dhe ndërprerjen që kjo mund t’u ketë shkaktuar prindërve, kujdestarëve dhe klientëve tanë”, tha Navratil.

Ai bëri të ditur se shqetësimi për cilësinë u konfirmua në dhjetor në një nga fabrikat e Nestlé-s në Holandë, çka çoi në një tërheqje vullnetare në disa vende evropiane, në koordinim me autoritetet kombëtare. Hetimet e mëvonshme e gjurmuan problemin te “një lëndë e parë specifike nga një prej furnitorëve tanë”.

Pasi u identifikua burimi, Nestlé ndaloi shpërndarjen e të gjitha produkteve që përmbanin përbërësin e prekur dhe zgjeroi tërheqjet parandaluese në fillim të janarit.

“Dua t’ju siguroj se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar sëmundjeje të lidhur me produktet e prekura”, tha Navratil, duke shtuar se kompania e konsideroi thelbësore “të vepronte shpejt dhe në mënyrë transparente”.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare, Nestlé tha se kishte zbuluar “një problem cilësie me një përbërës të furnizuar nga një furnitor kryesor” dhe se kishte kryer testime për të gjithë vajin e acidit arahidonik (ARA) dhe përzierjet përkatëse të vajrave të përdorura në produktet potencialisht të prekura të ushqimit për foshnja.

Kompania sqaroi se vaji ARA përdoret në produkte ushqimore për foshnja që shiten globalisht, çka do të thotë se çështja prek shumë vende, marka dhe produkte. Masat e tërheqjes janë zbatuar në bazë vendi, në përputhje me rregulloret lokale.

Nestlé tha se seritë e tërhequra përfaqësojnë “dukshëm më pak se 0.5 për qind të shitjeve vjetore të grupit” dhe se ndikimi financiar nuk pritet të jetë i rëndësishëm.

“Siguria dhe mirëqenia e foshnjave mbeten prioriteti ynë kryesor,” theksoi kompania.

Sipas Nestlé-s, tërheqja ka prekur produkte të shpërndara në më shumë se 50 vende në Evropë, Amerikë, Azi, Oqeani dhe Afrikë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë