Policia e Kosovës ka gjetur sërish armë, municion dhe mjete tjera ilegale në Mitrovicën Veriore.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Policia ka bërë të ditur se paraprakisht ka pranuar informacione se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicën e Veriut, mund të ketë mjete te dyshimta ilegale ndërsa pas pranimit të informacionit, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Gjatë kontrollit në bodrumin kolektiv të ndërtesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar tre armë të gjata, një tytë vazhduese, një kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të ndryshëm, 14 karikator, 10 krehër për fishekë, një garanadë dore tymuese, dy antiplumbë ushtark, dy jakne ushtarake, një bluzë e uniformës ushtarke, një palë pantallona ushtarke, mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia e Kosovës edhe në disa raste gjatë javëve të fundit kishte gjetur armë, municion dhe mjete tjera ilegale në veri të vendit.






















