Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për dënimin me 12 vjet e gjashtë muaj burgim të ish-pjesëtarit të forcave serbe gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Sergjan Lazoviq, për krime lufte kundër popullsisë civile.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.
Lazoviq akuzohej se bashkë me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të forcave serbe gjatë vitit 1998 dhe 1999 ka kryer krime lufte në fshatin Panorc të komunës së Malishevës, ka kryer arrestim dhe ndalim të të kundërligjshëm, dëbim, burgosje e keqtrajtim bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe.
Në Panorc të Malishevës, sipas prokurorisë, Lazoviq në bashkëkryerje ka keqtrajtuar në shkollën e fshatit Panorc, rreth 500 burra shqiptarë, banorë të këtij fshati që nuk ishin të përfshirë në konflikt.
Sipas aktakuzës, pas rrethimit e sulmit ndaj fshatit, forcat serbe dëbuan popullatën civile shqiptare e më pas i dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit, ndërsa i dënuari sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale mori pjesë edhe në plaçkitje e dëmtim të pasurisë së popullsisë civile.
Lazoviq, i cili para paraburgimit ka jetuar në Komunën e Leposaviqit, ishte vetëdeklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 4 dhjetor 2024.






















