| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski në Samitin Botëror për Qeverisje në Dubai: Diversifikimi, çelës për rezistencën ekonomike
Mucunski foli në panel-diskutimin me titullin "Renditja e ardhshme logjistike: Çfarë duhet të ndryshojë", i mbajtur brenda kuadrit të samitit, ku theksoi se e vetmja konstante në peizazhin aktual global politik është paparashikueshmëria.
Mucunski në Samitin Botëror për Qeverisje në Dubai: Diversifikimi, çelës për rezistencën ekonomike
Mucunski në Samitin Botëror për Qeverisje në Dubai: Diversifikimi, çelës për rezistencën ekonomike / AA
13 orë më parë

Në një botë ku paparashikueshmëria po bëhet realitet i ri, diversifikimi përfaqëson një mjet kyç për sigurimin e rezistencës ekonomike, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.

Mucunski foli në panel-diskutimin me titullin "Renditja e ardhshme logjistike: Çfarë duhet të ndryshojë", i mbajtur brenda kuadrit të samitit, ku theksoi se e vetmja konstante në peizazhin aktual global politik është paparashikueshmëria.

"Kjo është një realitet me të cilin duhet të përballemi dhe të mësojmë të jetojmë, por jo përmes politikave reaktive, por përmes ndërtimit të një aftësie afatgjatë për adaptim", nënvizoi Mucunski.

Ai theksoi se diversifikimi do të thotë të mos varet nga një industri, një rrugë tregtare, një treg apo një qendër ekonomike, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e partneriteteve, përfshirë edhe me tregje që nuk konsiderohen tradicionale.

Ministri Mucunski bëri thirrje për një dialog më intensiv midis qeverive dhe marrje më të shpejtë të vendimeve në kushtet e sfidave globale, duke shtuar se adaptimi i shpejtë dhe efikas duhet të kthehet në një avantazh konkurrues.

Duke u ndalur te mjedisi i biznesit në Evropë, Mucunski vlerësoi se kontinenti përballet me "hiperinflacion" të rregulloreve, gjë që e vështirëson zhvillimin e biznesit. "Kompanitë kanë nevojë për procedura të thjeshtuara, efikasitet dhe shpejtësi", tha ai, duke e marrë si shembull Emiratet e Bashkuara Arabe për legjislacionin fleksibël dhe pro-biznes, si dhe përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë inteligjencën artificiale në proceset administrative.

Në kontekstin e pozicionit logjistik të vendit, Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon ku kryqëzohen Korridoret 8 dhe 10, gjë që sipas tij përfaqëson një avantazh strategjik të rëndësishëm.

Ai theksoi se Qeveria investon aktivisht në sigurinë energjetike dhe lidhshmërinë, duke rikujtuar se është në proces ndërtimi interkonektori i gazit me Greqinë, i cili do të mundësojë qasje në gazin natyror të lëngshëm përmes terminalit në Alexandroupolis, si dhe përgatitjet për investim në interkonektor me Serbinë, me qëllim që vendi të bëhet edhe rrugë tranziti.

"Diversifikimi dhe kuptimi i qartë i pozicionit tonë në rajon dhe më gjerë janë kyç për zhvillimin afatgjatë. Jemi të sigurt që këto investime do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë," tha Mucunski.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë