Çmimet e gazit natyror në Evropë kanë shënuar një rënie prej më shumë se 7 për qind, duke zbritur nën 50 euro (apo 58 dollarë) për megavat/orë, pas rënieve të fundit që ndoqën rritjen e fortë të nxitur nga lufta në fillim të këtij muaji.
Mëngjesin e së mërkurës, gazi natyror në Evropë u tregtua me rreth 58 dollarë për megavat/orë, nga një nivel rekord prej 78 dollarësh javën e kaluar.
Çmimet ranë pas raportimeve për negociata të reja mbi stabilizimin e Lindjes së Mesme mes konfliktit të armatosur në vazhdim dhe për të parandaluar ndërprerjet e furnizimit.
Raportet në media pretendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë armëpushim për të lehtësuar bisedimet, ndërsa gazeta “The New York Times” raportoi se Uashingtoni i ka dërguar Teheranit një propozim me 15 pika për zgjidhjen e konfliktit.
Po ashtu Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se iranianët kanë dërguar atë që ai e përshkroi si një “dhuratë” në lidhje me naftën dhe gazin natyror.
“Ata (Irani) kanë rënë dakord se nuk do të posedojnë kurrë armë bërthamore”, tha Trumpi.
Megjithatë çmimet u rritën mbi 60 për qind që nga fillimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, duke rikthyer shqetësimet për kostot e energjisë dhe çmimet e elektricitetit në të gjithë rajonin.
Pavarësisht rënies së fundit, çmimet e gazit mbeten shumë mbi nivelet përpara përshkallëzimit të fundit të tensioneve rajonale, të cilat theksojnë paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në tregjet energjetike evropiane.


















