| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kriza në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në sektorin e turizmit në Bullgari
"Autoritetet qeveritare duhet të koordinojnë përpjekjet për ta promovuar Bullgarinë si destinacion të sigurt për udhëtime gjatë gjithë vitit", tha Janeva nga Departamenti i Turizmit.
Kriza në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në sektorin e turizmit në Bullgari
Kriza në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në sektorin e turizmit në Bullgari / Reuters
8 orë më parë

Konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, sipas një eksperte turizmi, mund të ndikojë në sektorin e turizmit në Bullgari, veçanërisht në sezonin e ardhshëm veror.

Duke folur për agjencinë kombëtare bullgare të lajmeve BTA, Mariana Janeva, drejtuese e Departamentit të Ekonomisë së Turizmit në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore, tha se autoritetet qeveritare duhet t’i koordinojnë përpjekjet për ta promovuar Bullgarinë si një destinacion të sigurt për udhëtime gjatë gjithë vitit, me oferta të ndryshme rekreative.

Ajo theksoi se Bullgaria duhet të fokusohet te turistët vendas dhe të ofrojë stimuj si kupona pushimesh ose lehtësime tatimore, të ngjashme me masat e miratuara në vende të tjera evropiane.

Ekspertja e turizmit tha se tregjet kryesore të huaja, veçanërisht turistët izraelitë që udhëtojnë përmes programeve çarter, mund të bien këtë verë. Hotelet dhe operatorët turistikë që shërbejnë këto tregje pritet të preken më së shumti.

Janeva sugjeroi se turistët evropianë që udhëtojnë përmes rrugëve tokësore mund të kompensojnë pjesërisht humbjet dhe tha se rritja e çmimeve duhet të mbetet rreth 10 për qind pavarësisht kostove në rritje të karburantit.

Ajo theksoi rëndësinë e operatorëve turistik të licencuar për menaxhimin e rreziqeve dhe rekomandoi që udhëtarët të përdorin profesionistë të regjistruar ligjërisht për udhëtimet ndërkombëtare.

Sa u përket mundësive afatgjata, Janeva tha se kriza mund të ndihmojë në ribrendimin e Bullgarisë si një destinacion shëndeti dhe mirëqenieje për katër stinët dhe të nxisë turizmin e specializuar përtej sezonit veror, duke mbështetur një rritje më të qëndrueshme të sektorit.

Ajo bën thirrje për fushata të menjëhershme marketingu në nivel evropian për të promovuar Bullgarinë si një destinacion të sigurt.

Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar që nga 28 shkurti, kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit, duke vrarë deri më tani mbi 1.300 persona, përfshirë edhe liderin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në kushtet e udhëtimit në rajon.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë