Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të bëjë gjithçka që është e mundur që të mos shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, duke shtuar se nuk është koha që të bëhen lojëra politike dhe të mbahen inate.
Haxhiu deklaroi sot se është e rëndësishme të pritet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani e cila shpërndau Kuvendin këtë muaj.
Data 31 mars është kohë e fundit kur pritet që Gjykata ta bëjë publik vendimin.
"Kurdo që ky vendim të del natyrisht që është e rëndësishme që ta shohim atë, ta kuptojmë atë dhe pastaj të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë. Unë, si kryetare e Kuvendit do të bëjë gjithçka çka është në dorën time dhe në përgjegjësitë e mia si kryetare e Kuvendit që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme", ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjendet një rrugë e përbashkët, të përfarohen qëndrimet dhe të gjendet konsensus në raport me zgjedhjen e presidentit.
"Sa i kam parë qëndrimet, edhe të VV-së edhe të shpalosura gjatë kësaj kohe me ftesat që kryeministri Kurti i ka bërë edhe kryetarëve të partive opozitare është një shprehje e interesit, është një shprehje e vullnetit, prandaj është e rëndësishme që ky vullnet të ekzistojë nga të gjitha palët. Është e rëndësishme se kemi shumë punë për të bërë", tha Haxhiu duke shtuar:
"Nuk mendoj që është koha që të bëhen lojëra politike apo të kemi inate me njëri-tjetrin prandaj, uroj që sapo të dalë vendimi i gjykatës që ta shohim... se ne nuk mund ta dimë se cili do të jetë vendimi i gjykatës, por është e rëndësishme që ta kemi të qartë rrugën përpara".
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Kriza politike në Kosovë rrodhi nga dështimi i zgjedhjes së presidentit të ri brenda afateve të përcaktuara, pas mungesës së një emri konsensual mes partisë në pushtet dhe opozitës.




















