Bashkimi Evropian (BE) ka reaguar ashpër pas avancimit të një projektligji të diskutueshëm për dënimin me vdekje në Izrael si dhe ka paralajmëruar se ai do të përbënte kthim të madh prapa dhe do të ngrinte shqetësime serioze për të drejtat e njeriut.
Zëdhënësi për çështjet e jashtme të BE-së, Anouar El Anouni tha se propozimi i miratuar së fundmi nga një komision në parlamentin izraelit, është "thellësisht shqetësues".
Mbrëmë, Komisioni për Siguri Kombëtare i Knessetit miratoi një draft-projektligj si një hap drejt legalizimit të ekzekutimit të të burgosurve palestinezë. "BE-ja kundërshton dënimin me vdekje në të gjitha rastet dhe në çdo rrethanë", tha El Anouni duke ritheksuar qëndrimin e kahershëm të bllokut evropian kundër këtij dënimi.
"Dënimi me vdekje është shkelje e së drejtës për jetë dhe nuk mund të zbatohet pa shkelur të drejtën absolute për të qenë i lirë nga tortura dhe trajtimi tjetër çnjerëzor", tha ai. Dënimi me vdekje, tha ai, gjithashtu nuk ka efekt të provuar parandalues dhe e bën të pakthyeshëm çdo gabim gjyqësor.
"Izraeli prej kohësh ka mbajtur një moratorium 'de facto' si për ekzekutimet ashtu edhe për dhënien e dënimeve me vdekje, duke dhënë shembull në rajon pavarësisht një mjedisi të ndërlikuar të sigurisë. Miratimi i këtij projektligji do të përfaqësonte një hap të rëndë prapa nga kjo praktikë e rëndësishme dhe nga qëndrimet që vetë Izraeli ka shprehur më parë", tha El Anouni.
BE-ja u bëri thirrje autoriteteve izraelite ta rishqyrtojnë këtë hap, duke e paraqitur çështjen jo vetëm si një problem të brendshëm ligjor, por edhe si një çështje të lidhur me detyrimet ndërkombëtare dhe vlerat demokratike.
Projektligji pritet të paraqitet javën e ardhshme në seancën plenare të parlamentit izraelit për votim në leximin e dytë dhe të tretë të cilat përbëjnë fazat përfundimtare për t'u kthyer në ligj të zbatueshëm. Ai parashikon që dënimi me vdekje mund të vendoset pa kërkesë nga prokuroria, se nuk do të kërkohet unanimitet për këtë dënim dhe se vendimi do të merret me shumicë të thjeshtë.
Gjykatat ushtarake që zbatohen për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli gjithashtu do të kenë mundësinë të vendosin dënimin me vdekje, ndërsa ministri i Mbrojtjes do të ketë të drejtë të paraqesë mendim para panelit gjyqësor.
Në rastet kur palestinezët nën pushtimin izraelit dënohen me vdekje, projektligji përcakton se rrugët për falje ose apelim do të mbyllen.


















