Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se prioritet strategjik i parealizuar i vendit të tij është hapja e negociatave dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian (BE).
Në një paraqitje në lajmet e një televizioni, Mucunski theksoi se shteti në mënyrë të vazhdueshme ndjek diskutimet brenda institucioneve evropiane dhe debatet e ndryshme që zhvillohen.
"Ne sigurisht që i ndjekim diskutimet si dhe debatet e ndryshme që ekzistojnë, por në këtë moment prioriteti ynë strategjik i parealizuar në politikën e jashtme të shtetit është hapja e negociatave për anëtarësim dhe anëtarësimi i plotë sa më i shpejtë në BE", theksoi ai.
Mucunski shtoi se nga aspekti i mënyrës se si merren vendimet në BE, për një ndryshim të mundshëm të metodologjisë apo të rregullave që lidhen me zgjerimin, nevojitet konsensus.
"Sipas asaj që dëgjojmë, ekzistojnë ide të ndryshme për mënyrën se si disa shtete anëtare ose grupe shtetesh anëtare, madje edhe Komisioni Evropian, e shohin të ardhmen e politikës së zgjerimit. Por, ajo që është e qartë është se, të paktën në këtë moment, nuk ka konsensus për asnjë nga këto zgjidhje alternative", shtoi ministri.

















