Samiti Stratcom, i organizuar për herë të pestë këtë vit nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes, do të mbahet më 27-28 mars në Istanbul.
Në njoftimin e bërë nga Drejtoria e Komunikimeve thuhet se samiti, ku do të mblidhen liderë botërorë, diplomatë dhe ekspertë, do të zhvillohet në një periudhë kur tensionet gjeopolitike janë në rritje dhe krizat globale po zhvillohen me shpejtësi.
Sipas njoftimit, aktiviteti dyditor synon të mbledhë krerë shtetesh, ministra, hartues politikash dhe akademikë të shquar për të trajtuar çështje si e ardhmja e rendit ndërkombëtar, komunikimi strategjik dhe menaxhimi i krizave globale.
Samiti do të fillojë me seancën hapëse ku do të marrin pjesë zëvendëspresidenti turk Cevdet Yılmaz dhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan, si dhe shumë diplomatë të nivelit të lartë.
Ditën e parë do të fokusohet në mënyrën se si komunikimi strategjik po formëson rendin global në ndryshim.
Paneli me titull "Korniza e Re e Rendit Global" do të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Turke, Kubanychbek Omuraliev. Në këtë seancë, përfaqësues nga Azerbajxhani, Siria, Bangladeshi dhe Republika Turke e Qipros Veriore do të diskutojnë mbi ekuilibrat në ndryshim të fuqisë dhe rolin e komunikimit në formësimin e narrativave ndërkombëtare.
Në seancat e tjera të samitit do të trajtohen çështje si diplomacia e lidershipit dhe ndërmjetësimi. Pjesëmarrës nga Katari, Libia dhe Egjipti do të ndajnë përvojat e tyre në zgjidhjen e konflikteve dhe diplomacinë rajonale.
Në kuadër të aktivitetit do të trajtohen edhe diplomacia klimatike dhe transformimi digjital i opinionit publik. Prof. dr. Ramon Salaverria nga Universiteti Navarra do të vlerësojë qeverisjen globale të klimës dhe strategjitë e komunikimit.
Dita e parë e samitit do të përfundojë me një panel që trajton krizat në rritje të besimit dhe legjitimitetit në institucionet ndërkombëtare, si dhe ndërthurjen e politikave për gratë, migracionin dhe politikat sociale.
Në ditën e dytë, samiti do të fillojë me fjalimin e ministrit të Jashtëm Fidan, pas së cilës do të mbahet një panel i fokusuar në Iran dhe seanca ku pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi krizat e vazhdueshme dhe mjedisin e paqëndrueshmërisë që e cilësojnë si "normalitet i ri" në qeverisjen globale.
Samiti Stratcom pritet të jetë një platformë e rëndësishme që, në një periudhë të përshkallëzimit tensionesh gjeopolitike, do të trajtojë rolin e komunikimit në menaxhimin e krizave globale dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.




















