| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kancelari gjerman paralajmëron për thellim të përçarjes transatlantike mbi luftën në Iran
“Nuk duam që kjo luftë të bëhet barrë për partneritetin transatlantik. Ne e duam këtë partneritet dhe kemi nevojë për të. Prandaj po angazhohemi me Washingtonin në të gjitha nivelet”, tha Merz në fjalimin e tij në parlament në Berlin.
Kancelari gjerman paralajmëron për thellim të përçarjes transatlantike mbi luftën në Iran
Kancelari gjerman paralajmëron për thellim të përçarjes transatlantike mbi luftën në Iran / TRT Balkan
2 orë më parë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar për rritjen e dallimeve mes Evropës dhe ShBA-së lidhur me luftën në Iran. 

“Nuk duam që kjo luftë të bëhet barrë për partneritetin transatlantik. Ne e duam këtë partneritet dhe kemi nevojë për të. Prandaj po angazhohemi me Uashingtonin në të gjitha nivelet”, tha Merz në fjalimin e tij në parlament në Berlin.

“Ne po kërkojmë pika të përbashkëta transatlantike. Kjo është arsyeja pse gjithmonë kam bërë të qartë se ndajmë qëllime të rëndësishme me SHBA-në. Por nuk duhet dhe nuk do të heqim dorë nga të qenit të sinqertë me partnerët tanë për vendet ku kemi dallime dhe interesa të ndryshme”, shtoi ai.

Merz përmendi dallimet lidhur me veprimet ushtarake të ShBA-së në Iran, duke theksuar se ka “ende shumë pyetje për këtë luftë”.

“Deri më sot, nuk ka një plan bindës se si ky operacion mund të ketë sukses. Uashingtoni nuk na ka konsultuar dhe nuk e ka konsideruar të nevojshme ndihmën evropiane. Ne do të kishim këshilluar kundër ndjekjes së këtij kursi në mënyrën si është ndjekur deri tani”, tha ai.

“Prandaj kemi deklaruar se, për sa kohë që lufta vazhdon, nuk do të marrim pjesë në sigurimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, për shembull me mjete ushtarake. Aktualisht nuk ka as plan për këtë dhe as mandat nga OKB-ja, BE-ja apo NATO-ja”, shtoi Merz.

Kancelari gjerman bëri thirrje për intensifikim të përpjekjeve diplomatike dhe “punë për një përfundim të shpejtë të luftës përmes mjeteve diplomatike”.

“Evropa ka interes që lufta të përfundojë”, theksoi ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë