Halkbank ShA Shkup ka organizuar një program iftari në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.
Në programin e iftarit të organizuar në një hotel në Shkup morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zv/kryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Bordit Drejtues të Halkbank, Recep Suleyman Ozdil, drejtori i përgjithshëm i Halkbank ShA Shkup, Fatih Sahbaz, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BDI), Shaqir Fetahu, politikanë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendase, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Ozdil tha se "në një periudhë prej më shumë se 10 vitesh, Halkbank ShA Shkup, me rezultatet që ka arritur, ka treguar se mund të jetë një forcë shtytëse e zhvillimit ekonomik, mbështetëse e sipërmarrjes dhe një pjesëmarrëse aktive në iniciativat e përgjegjësisë sociale".
Duke falënderuar pjesëmarrësit për mbështetjen, bashkëpunimin dhe miqësinë e tyre, Ozdil tha: "Ftesa si kjo e mbrëmjes së sotme na mundëson të forcojmë lidhjet tona të ndërsjella, të shkëmbejmë ide dhe të konfirmojmë se vlerat e përbashkëta janë themeli i çdo suksesi afatgjatë".
Ndërkaq, Sahbaz theksoi se iftari është simbol i unitetit, respektit, solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
"Si bankë, ne i vlerësojmë këto vlera të larta si në aktivitetet tona ashtu edhe në marrëdhëniet me shoqërinë. Si një institucion që ka ndërtuar partneritete të besueshme dhe të qëndrueshme ndër vite, besojmë se suksesi i vërtetë matet jo vetëm me rezultatet, por edhe me kontributin që i japim shoqërisë", shtoi ai.
Ndër të tjera, në kuadër të programit të iftarit u interpretua edhe një koncert muzikor.



















