| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës
Gjatë debatit raportuesi për Kosovën, Ruiho Terras kritikoi ashpër këto masa duke thënë se ato kanë pasur pasoja të mëdha për qytetarët, shoqërinë civile dhe gjithë shoqërinë në Kosovë.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës / AA
4 orë më parë

Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Republikës së Kosovës.

Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian, nga përfaqësuesi i KE-së, Jiri Plecity.

"Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së", tha Plecity.

Gjatë debatit raportuesi për Kosovën, Ruiho Terras kritikoi ashpër këto masa duke thënë se ato kanë pasur pasoja të mëdha për qytetarët, shoqërinë civile dhe gjithë shoqërinë në Kosovë.

"Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka shumë qartë fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar", tha Terras.

Në debat ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve evropiane, të cilët përshëndetën marrëveshjen për Ligjin për të Huajt, të arritur ditë më parë në Prishtinë.

BE-ja i vendosi masa sanksionuese Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë